E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Çeku fton serbët e Shillovës t`i bashkëngjiten FSK-së

Ministri i FSK-së, Agim Çeku, në vazhdën e fushatës për regjistrimin e rekrutëve të rinj ka inkurajuar rininë e komunitetit serb në Shillovë që të bëhen pjesëtarë të kësaj trupe.

”Ju nuk duhet të mbeteni peng i së kaluarës , por duhet të luftoni për të ardhmen dhe kjo e ardhme është këtu në vendin tuaj, i cili ofron shërbime e mundësi punësimi në mënyrë të barabartë për të gjithë”, u tha dje Çeku.

Sipas tij, NATO-ja është këtu për ta garantuar standardet dhe kriteret që aplikon FSK-ja.

“Jemi ushtri profesionale dhe në shërbim të popullit. Mos harroni se edhe në FSK mund të flisni gjuhën tuaj dhe të shkolloheni në gjuhën tuaj”, ju ka thënë Çeku të rinjve të Shillovës.

Ai po ashtu ka thënë se njerëzit mund të kenë paragjykime e iluzione , por ky vend, ky shtet dhe këto institucione siç është FSK-ja janë të të gjithë qytetarëve.

Ndërkaq Kevin Lynch, zyrtar i lartë në NATO, i cili po ashtu mori pjesë në takim, ka thënë se FSK-ja në vazhdimësi po ndihmohet nga NATO-ja.

“Kosova e FSK-ja janë e ardhmja e juaj dhe se këto bashkë krijojnë garanci për sigurinë tuaj”, ka thënë Lynch. Kurse Milan Stojanoviq, nënkryetar për komunitete në Kuvendin e Gjilanit, ka ftuar bashkëkombësit e tij të bëhen pjesë e FSK-së.

”Në jemi të kënaqur me bashkëjetesën me komunitetin shqiptar këtu dhe po kërkojmë që të rinjtë tanë t’i përqafojnë institucionet tona të cilat po punojnë me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe zhvillimit tonë”, ka thënë Stojanoviq.

Misha Asiq, njëri nga të rinjtë serb në këtë takim, ka kërkuar nga Çeku që të punojnë më shumë në ofrimin e kushteve për studime, ngase shumica e rinisë serbe të këtushme përballen me kushte të rënda ekonomike.

”Ne kërkojmë nga ju që të na ofrohen kushte më të mira për studime, sepse shumë nga ne nuk kemi kushte të mira ekonomike dhe detyrohemi që ta ndërpresin shkollimin, andaj kërkojmë që të trajtohemi më mirë nga shteti”, ka thënë ai./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›