Zyrapi: Limaj nuk ka keqtrajtuar njerëz

(E plotësuar) Ka filluar pjesa e dytë e seancës gjyqësore në rastin “Kleçka”, në të cilën pala mbrojtëse dhe prokurori pritet t’i paraqesin qëndrimet lidhur me një listë të dëshmitarëve të cilën e ka propozuar prokurori Maurizo Salustro.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, gjatë dëshmisë së tij sot në rastin “Kleçka” ka mohuar se Fatmir Limaj ka pasur kompetenca ekzekutive gjatë kohës kur ka qenë drejtor i policisë ushtarake. Po ashtu, Zyrapi ka mohuar që Limaj të ketë keqtrajtuar njerëz.
Zyrapi në pjesën e parë të seancës gjyqësore i ka mohuar të gjitha akuzat për të cilat Limaj dhe të tjerët po akuzohen nga prokurori Maurizo Salustro. “Drejtor i Policisë ushtarake ka qenë Fatmir Limaj. Drejtori ka pasur për detyrë ta ushtrojë policinë ushtarake, të nxjerrë rregullore për policinë dhe t’i zbatojë ato. Ai nuk ka pasur rol ekzekutiv”, ka thënë Zyrapi.
Ai ka treguar se nuk ka marrë asnjëherë vërejtje se Limaj ka shkelur kodin e mirësjelljes gjatë luftës. Ai ka vlerësuar se Limaj ka qenë korrekt në veprimet e tij në luftë.
“Nuk kam pasur ankesa nga askush, as nga Sokol Dobruna, se Fatmir Limaj e ka rrahur ndokënd. Nuk kam marr asnjë ankesë të thyerjes së kodit të mirësjelljes nga Limaj dhe nga të tjerët”, ka thënë Zyrapi.
......................
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapo, sot do të dëshmojë në rastin "Kleçka", në të cilën janë të akuzuar Fatmir Limaj dhe nëntë ish- bashkëluftëtarët e tij.
Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj, ka bërë me dije se nëse pala mbrojtëse nuk do të propozojë ndonjë dëshmitar për këtë proces atëherë, pas dëshmisë së Zyrapit, do të dëshmojnë edhe dy ekspertë, shkruan Epoka e re. "Njëri ekspert është i prokurorisë, tjeri i mbrojtjes", ka thënë Rrecaj./Indeksonline/