Zyrtar, Mesut Ozil shkon tek Reali
TIRANE-Tani është zyrtare: Mesut Ozil është futbollist i Realit të Madridit. Pas një tratative të gjatë, klubi spanjoll ka gjetur akordin me Verder Bremenin për të marrë mesfushorin gjerman, i cili shkëlqeu në kampionatin botëror të Afrikës së Jugut. Reali ka zyrtarizuar në uebsajtin e tij marrëveshjen, ndërsa mësohet se ai ka paguar rreth 15 milionë euro për Ozil. Ky i fundit shihet si zëvendësuesi ideal i Rikardo Kaka, në kohën që braziliani do të qëndrojë jashtë fushave për shkak të dëmtimit. Mesut Ozil ka lindur në vitin 1988 dhe është me origjinë turke. Ai do të firmosë një kontratë 5 vjeçare me madrilenët, klub që arriti të fitonte konkurrencën e Interit dhe të Barcelonës. Ozil është nxjerrë si futbollist nga Shalke 04, por në dy vitet e fundit u bë një nga yjet e Verder Bremen, duke shënuar 13 gola në 71 ndeshje. Blerja e turko-gjermanit është e pesta për këtë periudhë merkatoje nga ana e Realit të Madridit. Pedro Leon, Serxhio Kanales, Sami Kedira dhe Rikardo Karvajo i janë bashkuar skuadrës madrilene që kur në krye të saj është Zhoze Murinjo.
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)