Zyrtare, Granit Xhaka firmos te Mynshengladbah
Klubi gjerman i Mynshengladbah kompletoi blerjen e futbollistit të Bazelit, Granit Xhaka. Lajmi u zyrtarizua nëpërmjet një deklarate në sajtin e klubit. Kemi luftuar me shumë klube europiane dhe tashmë jemi të lumtur që do të stërvitet me ne, sezonin e ardhshëm, deklaroi drejtori sportiv, Max Eberl. Ndërsa vetë talenti shqiptar u shpreh se ndihet i lumtur për këtë transferim. Jam i nderuar për këtë kontratë, vendimi nuk ishte i vështirë, pasi Borusia është një klub fantastik, deklaroi Xhaka. Kosovari me pasaportë zvicerane është lojtari i dytë që largohet nga kampionati zviceran drejt kampionatin gjerman të futbollit (Bundesliga 1) pas Xherdan Shaqirit, i cili ka firmosur për gjigandët e Bajernit të Mynihut.