Sondazhet/Rritet mbështetja e shqiptarëve për integrimin e Shqipërisë në BE
Në Shqipëri një sondazh i publikuar sot nga Instituti për Studime Ndërkombëtare dëshmon se qytetarët vazhdojnë të mbështesin në shumicë dërrmuese anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Një ditë përpara publikimit të rekomandimit të Komisionit Europian për Statusin e vendit kandidat, vetëm 39% besojnë se ai do t’i jepet Shqipërisë, ndërsa 33 % nuk janë optimist për një përgjigje pozitive.
Mbështetja e shqiptarëve ndaj integrimit europian të vendit është rritur krahasuar me vitin e kaluar kur sipas sondazhit të kryer nga Instituti për studime ndërkombëtare, ajo ra me 14 pikë, duke zbritur në 80%. Vrojtimi i këtij viti tregon një përmirësim. 86,5% e të pyeturve janë përgjigjur se në rast të një referendumi ata do të votonin në favor të anëtarësimit.
Që nga nëntori i kaluar falë marrëveshjes mes shumicës dhe opozitës vendi ka bërë hapa përpara në plotësimin e rekomandimeve të Brukselit, ndonëse mosmarrëveshjet mes palëve vazhdojnë. Kjo situatë duket e reflektuar edhe në pritshmërinë e qytetarëve për rekomandimin e Komisionit Europian që parashikohet të publikohet nesër. 39% e të pyeturve mendojnë se Shqipëria do ta përfitojë statusin, ndërsa 33,5% mendojnë që jo. Pjesa tjetër nuk ka një ide për rrjedhën e ngjarjeve.
Afro gjysma e qytetarëve, sipas sondazhit, mendon se vendi nuk është gati për anëtarësim, ndërkohë që 30% mendojnë se Shqipëria është e përgatitur. Ndërsa janë afër 37% e qytetarëve që mendojnë se Bashkimi europian duhet ta pranojë vendin para se të jetë gati.
Duket se zhvillimet e brendshme kanë një ndikim të fortë në perceptimin e shqiptarëve ndaj procesit të integrimit. Ndërsa vitin e kaluar, kur kriza politike ishte ende e fortë, 40% mendonin se integrimi do të sillte forcimin e demokracisë, këtë herë afër 38% mendojnë se integrimi do të sjellë një rritje të standardit të jetesës, ndërsa afër 47% mendojnë se do të shtojë vende pune, do të forcojë shtetin e së drejtës dhe do të ketë më pak korrupsion. Po arsyet ekonomike janë kryesoret edhe për ata që do të votonin kundër, 40% e të cilëve druajnë një rritje të çmimeve, ndërsa 26% shohin me rrezik humbjen e identitetit kombëtar.
Nesër do të jetë një ditë e rëndësishme për të ardhmen e procesit të integrimit. Pas dy refuzimesh radhazi, Komisioni Europian pritet të publikoje raportin e vlerësimit mbi ecurinë e vendit si dhe rekomandimin e tij për statusin. Shumë vëzhgues parashikojnë në një përgjigje pozitive, por të kushtëzuar, ose me vetë statusin ose me hapjen e bisedimeve. Rekomandimi i Komisionit Europian është hapi i parë dhe vendimi përfundimtar pritet në dhjetor nga vendet anëtare. Brenda kësaj periudhe Shqipëria ka ende kohë të japë prova se e meriton statusin e vendit kandidat.