E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zyrtarët amerikanë: Rusia po përdor dronë iranianë në Ukrainë

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes larguan çdo dyshim se Irani po furnizon Rusinë me dronë për luftën kundër Ukrainës. Ata publikuan foto dhe analiza të avionëve pa pilot për të demonstruar përfshirjen e Teheranit në konflikt.

Gjatë një konference në Londër, analistët nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, shfaqën foto të dronëve që sulmuan Ukrainën, së bashku me imazhet e atyre të gjurmuara më parë në Iran. 

Një krahasim i detajeve të projektimit si pendët e bishtit, konet e hundës dhe pajisjet e uljes, treguan se armët e përdorura në Ukrainë janë pa asnjë dyshim dronë sulmues Shahed-131 dhe -136, si dhe mjetet ajrore pa pilot Mohajer 6 të përdorura në Lindjen e Mesme.

Përpjekja synon të ndihmojë në krijimin e bindjes tek qeveritë dhe agjencitë ndërkombëtare për përfshirjen e Teheranit në konflikt. 

Irani ka thënë se e ka furnizuar Rusinë me një “numër të vogël” dronësh përpara pushtimit të Ukrainës, por ka mohuar të ketë ofruar më shumë dronë, që kur trupat ruse kaluan kufirin shkurtin e kaluar.

Provat dëshmojnë se ata janë të përfshirë, tha një zyrtar i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së informacionit.

“Irani është partner në konfliktin me Rusinë”, tha zyrtari.

Zyrtarët amerikanë nënvizuan se Irani po mblidhte informacion të vlefshëm duke vendosur teknologjinë e tij në Ukrainë, duke hetuar mënyrën se si dronët funksionojnë në kushte të ndryshme të motit, duke parë se si mund të përdoren në skenarë të ndryshëm dhe duke marrë reagime nga jeta reale që i lejon ata t’i bëjnë armët më efektive.

Për shembull, pasi mësuan se civilët ishin në gjendje të iknin sepse mund të dëgjonin afrimin e dronëve, projektuesi i armëve ka të ngjarë t’i bëjnë modelet e ardhshme më të qeta, tha zyrtari.

Lufta në Ukrainë i lejon Iranit të demonstrojë aftësitë teknologjike të tij për blerësit e tjerë të mundshëm.

“Irani e sheh këtë edhe si një mundësi të madhe marketingu,” shtoi zyrtari.

Analiza u publikua një ditë pasi Britania paraqiti prova se Irani po furnizon me armë të avancuara rebelët Houthi në Jemen.

Britania i paraqiti Kombeve të Bashkuara dronët dhe raketat e sekuestruara nga anijet në Gjirin e Omanit, si dëshmi se Irani po shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit që ndalon dërgesat e armëve për Houthis. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›