Zyrtarët amerikanë i kërkojnë Kongresit të rinovojë programin e mbikëqyrjes së operacioneve të spiunazhit

Zyrtarë të administratës Biden i kërkuan të martën Kongresit që të rinovojë një program mbikëqyrjeje, të cilin qeveria amerikane e ka parë prej kohësh si jetik në luftën kundër terrorizmit jashtë vendit, sulmeve kibernetike, si dhe operacioneve të spiunazhit.
Programi, i cili është nën Aktin e Mbikëqyrjes së Inteligjencës së Jashtme, ose FISA, u jep agjencive amerikane të spiunazhit kompetenca gjithëpërfshirëse për të vëzhguar dhe ekzaminuar komunikimet e të huajve që ndodhen jashtë Shteteve të Bashkuara.
Programi është përcaktuar që të skadojë në fund të këtij viti, nëse Kongresi nuk pranon që ta rinovojë atë.
Zyrtarët e administratës po përgatiten për një debat të diskutueshëm në Capitol Hill rreth riautorizimit të programit, me avokatët e të drejtave civile që rreshtohen pranë republikanëve, në ngritjen e shqetësimeve për shtrirjen e kompetencave të spiunazhit të qeverisë.
Në një përpjekje për të shmangur paraprakisht shqetësimet e privatësisë, zyrtarët e inteligjencës dhe sigurisë kombëtare publikuan një rast ku autoritetet ligjore kanë dhënë informacion të vlefshëm gjatë viteve të fundit mbi sulmet e ransomëare në infrastrukturën kritike, kanë ndërprerë përpjekjet për të rekrutuar një spiun, si dhe kontribuoi në vrasjen e udhëheqësit të al-Kaidës Ayman al-Zaëahri me anë të një sulmi me dron gjatë gushtit të kaluar.
Në diskutim është edhe një dispozitë e FISA-s e njohur si Seksioni 702, i cili i lejon agjencitë e spiunazhit që të mbledhin informacione të mëdha lidhur me komunikimet e huaja.
Por kjo praktikë ka tërhequr vëmendjen e avokatëve të të drejtave civile, sepse rezulton që mblidhen informacione dhe të rastësishme për qytetarë amerikanë, kur ata janë në kontakt me objektiva të huaj nën mbikëqyrje.
Seksioni 702 u shtua për herë të parë në FISA në 2008 dhe u rinovua për gjashtë vjet në 2018, kohë në të cilën presidenti i atëhershëm Donald Trump, kritikonte në mënyrë rutinore agjencitë e inteligjencës qeveritare, ku fillimisht postoi në Tëitter kundërshtimin ndaj programit, por më pas hoqi dorë nga kritikat.
Lufta për rinovimin po shpalos përsëri në një klimë të polarizuar politike, pasi republikanët janë ende të zemëruar për gabimet e FBI-së të bëra gjatë hetimit për lidhjet midis Rusisë dhe fushatës presidenciale të Trumpit në vitin 2016. Ata janë shfaqur si skeptikë mbi nevojën e qeverisë për fuqi të gjera spiunazhi, si dhe deklarojnë se autoritetet janë përpjekur për abuzim dhe tejkalim kompetencash.
Si pjesë e një përpjekjeje për të bindur Kongresin për të rinovuar programin dhe për t’u paraqitur atë si të gatshëm për të bërë çdo rregullim të nevojshëm për t’u mbrojtur kundër abuzimeve, administrata dërgoi një letër për ligjvënësit nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland dhe Avril Haines, drejtori i inteligjencës kombëtare.
Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Mattheë Olsen, zyrtari më i lartë i sigurisë kombëtare i Departamentit të Drejtësisë, dha të njëjtin mesazh në një fjalim në institutin e studimit Brookings.
“Përfundimi është se Seksioni 702 na jep inteligjencën e nevojshme për të qëndruar një hap përpara kundërshtarëve tanë,”- tha Olsen.
“Ne nuk mund të lejojmë që ajo të skadojë. Ai program është shumë i rëndësishme për interesat e SHBA-së dhe aleatëve tanë dhe për sigurinë tonë bazë.”
Zyrtarët e sigurisë kombëtare thonë se Seksioni 702 bën të mundur punën e tyre më kritike, nga mbledhja e informacioneve mbi Kinën deri te ndalimi i sulmeve të ransomëare dhe ndërhyrjeve të tjera kibernetike.
Por ata kanë refuzuar të japin publikisht specifikat se si përdorin programet e vëzhgimit, duke thënë se ato janë të klasifikuara.
Gjykatat dhe ligjvënësit kanë marrë një informacion më të detajuar për programin, por në mënyrë private.
Udhëheqësit e inteligjencës tashmë kanë folur me ligjvënësit kryesorë për Seksionin 702 dhe do t’i japin Kongresit njoftime të klasifikuara dhe të paklasifikuara gjatë vitit.
Në letrën e tyre drejtuar Kongresit, Garland dhe Haines vënë në dukje se çdo gjykatë që shqyrton programin e të dhënave të pjesës më të madhe të Seksionit 702 “e ka gjetur se është kushtetues”. Apnews
/rtsh.al/