Zyrtarët e lartë të financave dhe institucioneve të BE-së, në Athinë për të parë situatën
Shefi i ekonomistëve të Bankës Qendrore Europiane ka bërë të ditur dje se Greqia, që po përballet me një deficit jashtëzakonisht të lartë, nuk mund të presë që Bashkimi Europian ta shpëtojë në këtë situatë. “Problemet e Greqisë janë problemet e saj, sikundër e ka pohuar edhe vetë Kryeministri Papandreu”, ka deklaruar dje për një gazetë italiane, Juergen Stark. Sipas tij, tregjet financiare “po gënjejnë veten” në rast se mendojnë se në një pikë të caktuar anëtarët e BE-së do të fusin duart nëpër xhepa për të shpëtuar Greqinë. Këto deklarata bëhen ndërsa zyrtarë të lartë nga Banka Qendrore Europiane dhe BE kanë nisur një mision në Greqi për të parë situatën dhe për të punuar mbi një program për daljen nga kriza. Qeveria greke do të dorëzojë një program për zgjidhjen e krizës brenda këtij muaji dhe shpreson shumë që me masat e marra të ulë ndjeshëm deficitin buxhetor, të shkaktuar nga kriza financiare dhe nga paaftësia e qeverisë së kaluar.