Zyrtari i DASH: U refuzohet hyrja në SHBA disa prej afganëve të strehuar në Kosovë

Më shumë se 1300 afganë u strehuan në Kosovë në 25 gusht të vitit 2021 pak pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan. Sipas marrëveshjes Kosovë-SHBA, rreth 2 mijë afganë do strehoheshin në Kosovë për 365 ditë. Por sipas një prej zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, disa prej afganëve të strehuar përkohësisht në Kosovë, u është refuzuar hyrja në SHBA pasi nuk kanë kaluar procesin e verifikimit. Më tej, ai sqaroi se afganët të cilët e kalojnë procesin e verifikimit do u mundësohet udhëtimi drejt SHBA ose drejt ndonjë shteti tjetër, ndërsa siguroi se Uashingtoni do ndihmojë në transportimin e afganëve që do duan të kthehen në Afganistan.
“Përderisa shumicës së udhëtarëve afganë në kuadër të grupit OAW [Operacioni për mirëpritjen e aleatëve] u është lejuar hyrja në Shtetet e Bashkuara përmes procesit tonë të verifikimit, përfshirë edhe shumicën e afganëve në Kosovë, një numër i vogël i individëve të cilët nuk e kanë kaluar procesin, shërben si shembull se sistemi po punon siç duhet. Departamenti, në fund të fundit, e vlerëson me prioritet më të lartë sigurinë e popullit amerikan. Ne presim që afganët në kampin Liya në Bondsteel, ose do të kalojnë procesin e verifikimit që do t’iu mundësojë udhëtimin për në SHBA brenda periudhës 365-ditore, ose do të zhvendosen në ndonjë shtet të tretë”, tha zyrtari i DASH, teksa shtoi se për aq kohë sa sistemi i verifikimit vazhdon të funksionojë do të ketë individë të cilët nuk do të jenë në gjendje të zhvendosen në SHBA. Sipas zyrtarit të DASH-it, deri më tani afër 600 afganë janë larguar nga kampi ushtarak amerikan, Bondsteel, që gjendet në Ferizaj.
/rtsh.al/