Fituan Eurovizion 2022, Kalush Orchestra shet trofeun 900 mijë dollarë për blerjen e dronëve

Grupi Kalush Orchestra pas fitores së Eurovizion 2022 në Torino me “Stefania”, kanë shitur trofeun e tyre në vlerën 900 mijë dollarë me qëllim blerjen e dronëve për ushtrinë ukrainase. Gjatë një koncerti bamirësie në Portën e Brandenburgut të Berlinit, Oleh Psiuk, një prej anëtarëve të Kalush Orchestra deklaroi se synimi i tyre ishte mbledhja e sa më shumë parave për kujdesin mjekësor dhe furnizimet.
Ndër të tjera, Psiuk u bëri thirrje ukrainasve që të mos mësoheshin me luftën, e cila ka lënë të vdekur 4,031 civilë, 4,735 të plagosur, si dhe ka detyruar më shumë se 14 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. “Unë mendoj se duhet të jetë gjithmonë në faqet e para, derisa të vijë paqja”, tha Psiuk. Mikrofoni i kristaltë u hodh në ankand në Facebook, me qëllim blerjen e dronëve për ushtrinë e Ukrainës, raporton BBC.
/rtsh.al/