Zyrtarja e lartë e BB, Armitage, për herë të dytë në Shqipëri
Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Europën Juglindore, Jane Armitage, është duke vizituar Shqipërinë. Herën e parë për këtë vit ishte në qershor, me anëtarin e bordit drejtues të bankës, ku pa nga afër disa projekte, ndër to edhe Termocentralin e Vlorës, për të cilin banka ka ofruar kredi me vlerë rreth 100 milionë dollarë. Burime zyrtare të Bankës Botërore bëjnë të ditur se qëllimi i vizitës ka të bëjë me njohjen e Armitage të projekteve në mënyrë më direkte, inspektim ky i parashikuar me kohë. Shefja e Bankës Botërore do të jetë në Shqipëri deri më datë 14 shtator, kohë e mjaftueshme për të parë ecurinë e projekteve. “Qëllimi kryesor i kësaj vizite do të jetë të vlerësojë progresin e programit të Bankës Botërore në Shqipëri, si dhe të marrë pjesë në konferencën ‘Drejt një qeverisjeje më të mirë’, që do të mbahet më 13 shtator”, bën të ditur zyra e shtypit. Mësohet gjithashtu se, gjatë vizitës së saj, Jane Armitage do të zhvillojë takime me kryeministrin Sali Berisha; anëtarë të kabinetit qeveritar; kreun e opozitës, Edi Rama; dhe përfaqësuesin e zyrës së Bashkimit Europian në Shqipëri.