E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdoganohen 100 automjete në ditë, ulen çmimet

Ligji i ri për makinat ka ndikuar në hyrjen në masë të automjeteve në vend pa doganë, duke ulur edhe çmimin e tyre me të paktën 1500 euro

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raporton se në Tiranë hyjnë çdo ditë 100 automjete pa doganë. Në këtë mënyrë, ligji i ri për makinat ka nxitur rritjen e importit të tyre në vend, duke ulur njëkohësisht edhe çmimin. Të dhënat e Doganës së Durrësit raportojnë një numër më të madh hyrjesh të automjeteve të importuara, të paktën 130 në ditë. Sipas statistikave të doganave, rezulton se ka gati një dyfishim të importit të mjeteve të transportit, të cilat po futen në treg pa taksën e importit, duke paguar vetëm TVSH. Nga të dhënat e tregtarëve të makinave të përdorura të importuara, rezulton se aktualisht automjetet po shiten 1500-2000 euro më pak krahasuar me periudhën përpara se ligji i makinave të hynte në fuqi, pasi me ligjin e ri u zerua taksa e importit. Në këtë mënyrë rezulton se çmimi i makinave të importuara është ulur me të paktën 30% pas heqjes së taksës së importit. Megjithëse shqetësimi i vetëm për autoritetet mbetet tregu i mjeteve dhe rreziku i kthimit të Shqipërisë në varreza të makinave të vjetra, me anën e një drafti të ri janë mirëpërcaktuar vendet se ku do të pozicionohen varrezat e makinave. Ligji i ri, i cili ka hyrë në fuqi që nga 24 gushti 2011, parashikon që për të gjitha makinat e importuara, në qoftë se ende nuk është prerë dogana, nuk do të paguhet kjo barrë fiskale, por do t’i nënshtrohet ligjit të ri. Bëhet fjalë për periudhën kohore nga janari deri në shtator të vitit 2011. Pavarësisht se ligji i ri për taksat kombëtare dhe vendore, ku përfshihen taksat e makinave të përdorura që importohen në vend hyri në fuqi në fund të muajit gusht, Ministria e Financave ka vendosur të falë nga fatura doganore të gjithë pronarët e automjeteve që kanë prurë në Shqipëri makina që nga janari 2011. Personat në fjalë do t’i nënshtrohen ligjit të ri të pagimit të taksave. Përsa i përket personave që kanë importuar automjetet përpara muajit janar, deri në fund të dhjetorit 2010, ata përfitojnë nga falja fiskale. Nuk do të falen sipas ligjit personat që kanë prurë makina nga jashtë në territorin e origjinës nga janari deri në shtator, por që e kanë paguar taksën doganore. Sipas Financave, këta persona nuk mund të përfitojnë, pasi nuk mund të ketë një falje të dytë fiskale. Me ligjin e ri për taksat kombëtare dhe vendore të ndryshuar do bëhet ristrukturimi i taksimit të mjeteve të përdorura duke u hequr taksa e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksa vjetore e qarkullimit, taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve. Aplikimi i taksës së re të qarkullimit do të jetë një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër. Taksa e karbonit, që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi dy kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin dhe lëndë djegëse (solarin dhe mazutin). Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 5 lekë litri deri më 31.12.2011, pas kësaj date taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 7 lekë litri. Për këtë shkak janë vendosur edhe normat e përdorimit, ku sa më i vjetër të jetë mjeti aq më shumë taksa do paguash te kolaudimi. Përsa i përket arkëtimeve, administrata doganore arkëtoi rreth 3 miliardë lekë gjatë vitit 2010 nga importimi i makinave të përdorura. Në krahasim me sistemin paraardhës, barra fiskale për shqiptarët që mbajnë një makinë është gati dy herë më e lartë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›