E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çajupi siç e quante Kuteli!

Vepra e Çajupit botohet e plotë, duke respektuar vullnetin e fundmë të autorit. Nën përkujdesin e Prof. Dr. Jorgo Bulos, akademik, për herë të parë kemi Çajupin integral, një nga shkrimtarët dhe poetët më interesantë shqiptarë, pjesë e fondit të artë të letërsisë shqipe. Vepra botohet nën siglën e “Toenës” dhe promovimi i është bërë dje. Për aspektin teknik, gjuhësor, vepra mban firmën e Besa Vilës. Kuteli do ta quante Çajupin “Mistrali i Shqipërisë”, sepse me të u shfaq në galerinë e poetëve shqiptarë profili i poetit popullor, në kuptimin më autentik dhe më të gjerë të fjalës

Çajupi siç e quante Kuteli!

Njerëzit, sipas një thënieje biblike, i ngjajnë kohës së tyre. Ata me veprën e tyre, shprehin kohën në të cilën kanë jetuar. Edhe kur e tejkalojnë atë shprehin prirjen e kohës së tyre. A. Z. Çajupi, ndër të sprasmit shkrimtarë të Rilindjes dhe ndër të parët të erës moderne të letrave shqipe, është krijuesi që me veprën e tij, duke shprehur frymën dhe fytyrën e kohës së vet, i dha asaj edhe përmasën e së ardhshmes. Prandaj vepra e tij e shumanshme, si vepra e çdo krijuesi, nuk mund të kuptohet thjesht dhe vetëm si tekst, jashtë kontekstit historik e kulturor në të cilin u ngjiz.

Shkrimi i parë që njohim prej Çajupit, në frëngjisht, me titull “Duke kërkuar një alfabet”, botuar më 1898 në revistën Shqipëria të Bukureshtit, përuron jo vetëm angazhimin e tij të vendosur në lëvizjen atdhetare, por dhe debatin për një nga çështjet më të nxehta e më të rëndësishme të lëvizjes kulturore e politike të Rilindjes, për çështjen e alfabetit. Ky artikull ishte dëshmi jo vetëm e një përkushtimi atdhetar dhe e një mendjeje të hapur e të emancipuar, por edhe e një përgatitjeje që të befason me dijet gjuhësore kur argumenton nevojën e alfabetit latin si më i përshtatshmi për shqipen. I mbrujtur me vlerat e qytetërimit perëndimor dhe me filozofinë iluministe, prej këtij shkrimi të parë e deri te më i fundit, Çajupi do t’i mbetet besnik vetvetes dhe përkushtimit për t’i parë shqiptarët dhe kulturën e shtetin e tyre të shkëputur nga traditat anakronike të një bote të perënduar anadollake dhe shoqërinë shqiptare të projektuar sipas modelit të qytetërimit modern evropian. Me publicistikën dhe veprën e tij letrare, Çajupi, mori që në krye, anën më të përparuar të mendimit atdhetar, shoqëror e filozofik të kohës kur jetoi.

Vepra e tij e parë poetike, që e bëri menjëherë të njohur, ishte “Baba Tomorri”, botuar në Kajro më 1902. Faik Konica, i magjepsur nga freskia dhe thjeshtësia e vjershave të kësaj përmbledhjeje shkroi po atë vit: Na leu një vjershëtor! Dhe nuk gaboi. Poezisë shqipe i kishte ardhur një vjershëtor me zërin e tij të veçantë, me vizionin e tij të veçantë për jetën dhe me një ndjeshmëri të hollë për të pathënat e shpirtit njerëzor, me një gjuhë poetike që rridhte si këngët dhe ujët e burimeve të Zagorisë, e çliruar nga klishetë e ngurta, e mbrujtur me mallin e mëmëdheut dhe me mallin e dashurisë, përzier me erë trëndeline dhe me erë gjethesh. Por Konica kish pikasur dhe një përmasë të re në poezinë e Çajupit, frymën e humorit, shijen e veçantë që i jep gjuhës së tij “kripa e Vlorës”. Me ato pak fjalë që u shkruan në “Albania” për “Baba Tomorrin” ishte thënë thuajse gjithçka për vjershëtorin që sapo kishte lindur, por që do të bëhej shpejt një nga më të mëdhenjtë e poezisë shqipe, bard popullor i Atdheut, poet i dashurisë, mjeshtër i fjalës së kripur me humor, mik i lirisë në kuptimin e gjerë të fjalës, një nga personalitetet e papërsëritshme të kulturës shqiptare.

“Baba Tomorri” është vepra më e rëndësishme e Çajupit dhe një nga veprat më të rëndësishme të poezisë shqipe të Rilindjes. Te “Baba Tomorri” u shfaq profili krijues novator i Çajupit, veçoritë e stilit dhe të talentit të tij të vetvetishëm. Shpirti atdhetar s’kishte njohur më parë një poet me temperament aq të vrullshëm, shpirti rebel një këngëtar aq të përkushtuar të lirisë, shpirti erotik s’kishte gjetur një shprehje aq të hollë dhe aq tundonjëse, shpirti shpotitës një penë aq të mprehtë e të guximshme dhe vjershëria shqipe një gjuhë poetike aq të njomësht e aq të afërt me këngën e popullit. Është kjo arsyeja që Çajupi i shumë veprave të tjera mbeti gjithmonë i njëjtësuar me Baba Tomorrin dhe Baba Tomorri me poetin.

Kur Baba Tomorri sapo kish dalë në qarkullim dhe kishte marrë lavdërimet dhe kritikat e para, Çajupi lajmëronte se po bënte gati për shtyp një tjetër vepër me titull “Dhjat’ e vjetër e çfaqur”. Në variantin përfundimtar hoqi dorë nga ky titull dhe veprën e quajti “Baba Musa Lakuriq”, jo rastësisht, por për të shprehur më mirë përmes tij përmbajtjen e një vepre që tregonte lakuriq të vërtetën e miteve dhe të legjendave biblike. “Baba Musa Lakuriq” është një vepër komplekse, një parodi e aktualizuar e skenave dhe e personazheve biblike përzier me skena dhe personazhe reale të jetës shqiptare. Nënshtresa filozofike dhe filli biblik me të cilin endet rrëfimi i jep veprës një dimension dhe tingëllim universal. Skepticizmi për thelbin moral të njeriut, ideja e çlirimit nga vargonjtë e ideologjive, e bëjnë veprën një dukuri të re në letrat shqipe dhe në mendimin shqiptar, edhe pse ajo mbeti e pabotuar, ndoshta pikërisht për shkak të tronditjes që sillnin këto ide në mendësinë e lexuesit shqiptar të kohës.

Por ndërsa “Baba Musa” flinte në sirtar, një tjetër vepër mori jetë në tavolinën e punës së Çajupit, tragjedia “Burri i dheut”, mbaruar në mars të vitit 1908, për të mbetur dhe ajo e pabotuar me gjallje të autorit. Vepra ka personazh qendror Skënderbenë. Poeti, si çdo rilindës, synonte të ringjallte kujtimin e Heroit Kombëtar, por në mënyrën e vet, duke thyer traditën e një rrëfimi historik dhe duke ndërtuar një subjekt tragjik, me një intrigë që nuk merr parasysh të vërtetën historike, por “të vërtetën artistike” sipas mësimit të Aristotelit, se historia tregon punët që kanë ngjarë, kurse poezia punët që mund të ngjajnë, dhe sipas gjedhes së tragjedisë Heraklius, perandor i Orientit, të shkrimtarit francez P. Kornei.

Ndërkaq fillimi i shekullit të ri i kishte vënë shqiptarët përpara një realiteti të ri; i “sëmuri i Bosforit” po jepte shpirt dhe ata duhet të zgjidhnin: të mbeteshin në gërmadhat e Perandorisë që po shembej, apo të ndaheshin një herë e mirë prej saj. Disa syresh nanuriseshin nga iluzioni se revolucioni xhonturk i vitit 1908 do t’u sillte lirinë, të tjerë, si dhe Çajupi, nuk i besonin këtij naiviteti. Pasi botoi pamfletet Konstitucioni në Turqi (1908) dhe “Klub’ i Selanikut” (1909), ku demaskon demagogjinë e turqve të rinj e shpall haptas idenë e shkëputjes nga bota e vjetër dhe nga sistemet shtetërore teokratike për të përqafuar qytetërimin evropian, Çajupi shkruan komedinë Pas vdekjes (1910) e cila e merr temën po nga problemet e lëvizjes patriotike pas revolucionit xhonturk. Të dyja këto vepra kanë hyrë në repertorin klasik të teatrit shqiptar. Në qoftë se me “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” (botuar më 1902 te “Baba Tomorri”) Çajupi inauguroi komedinë e zakoneve në letrat shqipe, me “Pas vdekjes” inauguroi komedinë politike. Objekt i satirës së Çajupit në këtë vepër bëhen pseudopatriotët vanitozë që flirtojnë me demagogjinë e xhonturqve. Me ripunimin që i bëri komedisë pas dhjetë vjetëve, Çajupi theksoi përmasën aktuale të veprës. Gjithsesi, dhe kjo vepër mbeti e pabotuar me gjallje të poetit, i cili më 1921 botoi “Përralla të La Fontenit” dhe më 1922 “Lule të Hindit”, një tufë vjershash nga letërsia sanskrite, duke vënë kështu një gur themeli në shkollën e përkthimit shqip të letërsisë botërore. I ngazëllyer nga fitorja e forcave demokratike, të udhëhequra nga F. S. Noli në qershor të 1924-s dhe me dëshpërimin e një republikani që pa të vendosej monarkia në Shqipëri më 1928, shtyu ditët e fundit derisa më 13 korrik të 1930-s mbylli sytë në vilën e tij, në lagjen aristokratike “Heliopolis” të Kajros, i rrethuar nga shqiptarët patriotë të Misirit dhe i harruar në atdhe.

Çajupi rinovoi një traditë letrare dhe krijoi një traditë të re. Vepra e Çajupit nuk është thjesht një hallkë që lidh epokën letrare të Rilindjes me atë që erdhi pas saj, por një faktor i progresit artistik të letërsisë shqiptare në fazën e kapërcimit nga romantizmi në realizëm, nga patosi afirmativ kombëtar e patriotik, në patosin social kritik. Ky ishte një hap i madh që e integronte letërsinë shqiptare në rrjedhat moderne të zhvillimit të saj.

Ideja patriotike, kishte ushqyer frymëzimin e poetëve të Rilindjes dhe gjithë lëvizjen letrare të romantizmit. Çajupi hyri në këtë lëvizje me përkushtimin e atdhetarit të djegur nga dëshira për liri e nga malli për mëmëdhenë; por ai do të hynte në këtë lëvizje edhe me talentin e shkrimtarit që do të mbillte me krijimtarinë e tij farën e dezintegrimit të sistemit artistik të romantizmit, edhe atëherë kur mbetej brenda rrethit tradicional të motiveve atdhetare, edhe pse deri në fund të jetës u qëndroi besnik idealeve patriotike.

Çajupi u dha një përmbajtje të re, të gjallë dhe konkrete, këtyre idealeve. Toni i hapur luftarak i shprehjes së tij poetike do të shënonte një thyerje në rrjedhën e patosit retorik sentimental e të frymës legjendare romantike, që karakterizonte shpesh ligjërimin artistik të poezisë para tij ose të kohës së tij. Ai e afroi, duke e zhvendosur nga e kaluara në të tashmen, idenë e traditave liridashëse të popullit të vet, të cilin e grishi të rrokte armët, jo përmes gojës së personazheve historike, po përmes zërit të vet si poet qytetar. Vepra e Çajupit nuk evokoi thjesht atdhenë historik, të imagjinuar ideal prej shqiptarëve, por i këndoi dheut ku u kishte rënë koka, ku vuanin e gëzoheshin dhe ku ëndërronin t’u preheshin eshtrat.

Vendi i Çajupit në historinë e kulturës shqiptare, si një shkrimtar që, nga një anë shprehu mendësinë e Rilindjes dhe nga ana tjetër e tejkaloi atë, lidhet dhe me një aspekt tjetër të veprës dhe të personalitetit të tij. Me Çajupin nis të shfaqet në jetën letrare shqiptare tipi i poetit civil, që ndien nga të parët, bashkë me Konicën e ndonjë tjetër, krizën e idealeve të Rilindjes, edhe pse me to e lidhnin mijëra fije. Mund të ishte kjo një pozitë tragjike për një krijues mbi të cilin bëjnë trysni dy palë forca: ato që e mbajnë në vend dhe ato që e tërheqin përpara. Te Çajupi nuk u ndje as drama e shkrimtarit të shtangur në udhëkryq, as pesha e rëndë e forcave të inercisë. Ai shikonte përpara, sepse kishte kurajën civile ta vështronte të vërtetën në sy, sepse i kishte dalë dehja nga romantizmi nacional i Rilindjes, i cili, i marrë integralisht, pa një qëndrim kritik dhe vetëkritik, nuk i përgjigjej më situatës së re historike. Ajo që ndodhte para syve për Çajupin kishte forcë më të madhe se trysnia e mendësisë tradicionaliste romantike. Përballë imazhit të një jete idilike, ose përballë peizazhit të mbushur me magji e këngë shtojzovallesh, poetit i vrisnin sytë plagët shoqërore, morale, në trupin e kombit; përballë mitit të harmonisë shoqërore, ai shihte kundërshti e kontraste të mprehta, të cilat i pikasi edhe në gjirin e lëvizjes kombëtare, kur demaskoi ortën e njerëzve të degraduar të shtresave të vjetra shoqërore që u kishin shterur energjitë e tyre morale e historike; përballë figurës së shqiptarit të vizatuar me breroren legjendare të bartësit të virtyteve kombëtare e të përsosmërisë morale të trashëguar historikisht nga e kaluara stërgjyshore historike, i shfaqeshin vese morale dhe kundërthënie tronditëse të shpirtit njerëzor, që shoqëria moderne i kishte nxjerrë lakuriq në shesh. Rilindësit, bashkë me ta dhe Çajupi, morën përsipër dhe ia arritën ta kthenin idenë kombëtare nga një ideologji të një pakice intelektualësh në ideologji të shqiptarëve, por Çajupit dhe disa krijuesve të tjerë të brezit të fundit të Rilindjes u ra barra të kthenin në pjesë të mendësisë dhe të kulturës të shqiptarëve frymën kritike dhe vetëkritike për vlerat dhe cenet e tyre morale e historike.

Në duelin midis vetëdijes romantike dhe vetëdijes kritike te Çajupi po fitonte kjo e fundit dhe kjo fitore i hapte udhën realizmit në letërsinë shqiptare të shekullit të kaluar. T’i shtrosh udhën një drejtimi të ri dhe një stili të ri, kjo nuk është një meritë e vogël për një krijues dhe ky fakt nuk përbën një episod të zakonshëm në rrjedhën normale të një letërsie, por një pikë kthese historike në zhvillimin e saj.

Çajupi nuk ringjalli thjesht disa elemente të një realizmi spontan që ishin shfaqur para tij në letërsinë shqipe. Ai kishte vetëdijen e një kuptimi realist të jetës dhe krijoi vepra si “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” e “Pas vdekjes” ku sistemi i personazheve, thelbi i tyre moral e shoqëror, thurja e subjektit si mjet i zbulimit të këtij thelbi, janë përcaktuar prej këtij kuptimi.

Ky kuptim është karakteristik jo vetëm për komeditë e tij por dhe për lirikën e tij. Poeti i “Baba Tomorrit” e zbriti poezinë nga qiejt romantikë në tokë, e pasuroi frymëzimin historik të letërsisë së kohës me frymën sociale, me patosin qytetar e kritik. Ai i dha një përmbajtje të re frymës popullore, që ishte një tipar i brendshëm i poezisë së Rilindjes, sepse e gatoi atë me hallet e bujkut e të njeriut të zakonshëm, me brengat e mërgimtarit dhe të bariut; ai nuk i këndoi një dashurie platonike, por një dashurie tokësore. Lirikat e tij dashurore, pak të studiuara, janë një model i modernitetit të ndjesisë artistike ndaj bukurisë femërore, por dhe i skepticizmit ndaj thelbit të moralit të shoqërisë së kohës.

Letërsia shqipe e Rilindjes Kombëtare është, në mos e vetmja, nga të rrallat letërsi romantike që thuajse nuk e pranoi satirën dhe sarkazmën në arsenalin e mjeteve të saj. Kjo kornizë i vinte pranga vetëdijes kritike e qytetare të Çajupit dhe ai i theu ato pranga duke e pasuruar letërsinë me një përmasë të re. Por ky kalim nga entuziazmi afirmativ romantik në patosin sarkastik ishte brutal dhe gati skandaloz për veshët e pamësuar me të. Këtu duhet kërkuar dhe përgjigjja e pyetjes që ka munduar shpesh studiuesit: pse u prit në mënyra të ndryshme vepra e Çajupit nga kritika e cila ose i thuri himne ose i lëshoi anatema. Shkaku ishte se ajo trondiste disa norma, thyente disa kanune e prishte amullinë, në klimën e së cilës rrezikonte të vegjetonte krijimtaria artistike.

Heronjtë e poezisë romantike të Rilindjes dhe personazhet e eposit romantik te Naimi, dhe më pas deri te Fishta, ishin në përgjithësi monokromë, të bardhë ose të zinj, trima ose frikacakë, atdhetarë ose tradhtarë, të mirë ose të këqij, kurse me veprën e Çajupit nis procesi i shpërbërjes së këtij koncepti; në të shfaqet një tip i ri heroi, me shpirt e tipare kontradiktore, me botën e vet morale ku ndeshet virtyti me vesin, shfaqet një hero me portretin e vet të veçantë ku përzihen ngjyrat, dritat dhe hijet. Nga kjo vetëdije realiste buron shpesh një qëndrim i dyfishtë emocional, pohues dhe mohues, si dhe ajo rrymë humori edhe me vetveten e heroit lirik që shpesh identifikohet me poetin. Tana e komedisë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” është një shembull i mjaftueshëm për të kuptuar se në galerinë e tipave të letërsisë shqipe po hynte një personazh i ri, jo thjesht si tip shoqëror, por si realizim artistik. E kapërthyer në kontradiktën e saj të brendshme, si viktimë e jetës dhe e koncepteve patriarkale dhe si mbrojtëse e tyre, ajo ka merituar simpatinë dhe shpotinë nga ana e shkrimtarit.

Nuk mund të flasësh për veprën e Çajupit, pa iu referuar marrëdhënieve të saj me folklorin, e cila është një marrëdhënie e brendshme e thellë, që buron nga njohja e shpirtit të popullit, e mendësisë dhe e filozofisë së tij. Çajupi u nis prej traditës së folklorit të vendlindjes dhe e shpuri atë më tej duke e përpunuar e duke i dhënë një shprehje të re e të freskët artistike.

Fryma atdhetare e këngës historike popullore e bëri më luftarake lirikën patriotike të Çajupit; nota sociale e lirikës popullore e bëri më realiste poezinë e Çajupit; freskia dhe sensualizmi i lirikës erotike zagorite e bëri më njerëzore e voluptive lirikën dashurore të Çajupit, kurse humori lab i dha veprës së Çajupit patosin satirik. Folklori nuk i dha Çajupit vetëm tharmin e frymëzimit poetik, por edhe mjetet e ligjërimit poetik. Në një kohë kur, siç shkruante De Rada, shqipes i qe këputur më shumë se një tel, ose siç shkruante vetë poeti, në një kohë kur gjuha shqipe ishte e pamjaftueshme si gjuhë e poezisë, Çajupi në vazhdën e Naimit rigjallëroi mekanizmat e brendshme të gjuhës dhe “inventarin” e saj poetik, duke shfrytëzuar sidomos traditën folklorike. Ai ngriti nga gjuha dhe kënga popullore në gjuhën e letërsisë artistike një tog fjalësh të zakonshme të cilat nisën të tingëllonin poetike. Këto fjalë do të formonin shtresën e re stilistike të leksikut poetik të shqipes. Kuteli do ta quante Çajupin “Mistrali i Shqipërisë”, sepse me të u shfaq në galerinë e poetëve shqiptarë profili i poetit popullor, në kuptimin më autentik dhe më të gjerë të fjalës.

Berisha i jep Visar Zhitit “Çmimin e botuesve”

Shkrimtari Visar Zhiti u shpall mbrëmë nga Shoqata e Botuesve si shkrimtari më i mirë i vitit. Për t’i akorduar çmimin, ishte i ftuar Kryeministri Sali Berisha, i cili tha se “është një kënaqësi e veçantë që i akordoj këtë çmim një nga poetëve tanë më të talentuar, një prej personaliteteve më të denjë të letrave shqiptare”. Çmimet që ndan çdo vit Shoqata e Botuesve shkojnë për përkthyesin më të mirë, që këtë vit iu dha Ardian Klosit; çmimi për grafikën më të mirë në kopertinë këtë vit iu dha shtëpisë botuese nga Shkupi për “Kolonën e veprave” të Sami Frashërit, duke u vlerësuar për thjeshtësinë e paraqitjes grafike; çmimi për shkrimtarin e vitit për fëmijë mban emrin e “Odise Grillos”, në bashkëpunim me shoqatën e shkrimtarëve për fëmijë iu dha shkrimtarit Shkëlzen Zalli për librin “Kush buron nga syri”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›