E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Çlirimit; Pas 64 vitesh, si u bë Tirana metropol i vendit



Në përkujtim të 64-vjetorit të Çlirimit të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës organizoi një ceremoni solemne në sheshin më të ri urban, pranë “Ushtarit të panjohur”. Përpara qindra veteranëve, pjesëmarrësve në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të afërmve të të rënëve, miqve e dashamirësve të kryeqytetit, Rama vlerësoi veteranët e luftës për sakrificat, duke i cilësuar idealet e tyre të patjetërsueshme për Evropën e bashkuar e njëkohësisht duke iu përulur me nderim mundit të tyre si një pikë të ndritur referimi për të gjitha brezat. "U themelua për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull bujk që vuante mungesën e një tregu të afërt", - thuhet në buletinin e botuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 1937 me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Po si do të ndryshonte pas vitit 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet me vendim të Kongresit të Lushnjës dhe si u kthye në qendër të jetës politike shoqërore? Në dokumentet e shkruara të kohës janë fiksuar disa nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me planin rregullues të kryeqytetit të ardhshëm dhe godinat që do t'i rezistonin kohës akoma dhe për shumë vite të tjera. Të gjitha të dhënat do të hidheshin në pjesën idilike në një album shkruar nga Osman Myderrizi, të cilat vazhdojnë të ruhen ende në një nga regjistrat e seksioneve të Bashkisë së Tiranës. Në vitin 1922, me urdhrin e ministrit të Punëve të Brendshme, u zhdukën varrezat që gjendeshin pranë çdo xhamie e pengonin jo vetëm rregullimin e tregut, por dhe atë të qytetit. Në këtë vit u hap dhe “Rruga e re e Durrësit”, e cila u pagëzua me emrin "Nana Mbretëreshë" që prishi shumë shtëpi dhe kopshte, mbasi ajo e vjetra që shkonte nga hotel “Durrësi” nuk lejonte të shihej nga larg qendra e qytetit, thuhet në dokumentet e kohës. Sipas të dhënave, në fund të kësaj rruge që bashkonte Tiranën dhe Durrësin në vitin 1930 italianët filluan punimet për ndërtimin e Hangarit Madhështor (kështu u quajt aeroporti i Rinasit). Sipas të dhënave, ai i përkiste shoqërisë italiane "Ala Littoria", ndërtim krejt me skelet hekuri dhe i mbuluar nga llamarinat e hekurta që mbulonte një sipërfaqe prej 5000 metra katrorësh dhe kishte një lartësi rreth 35 metra. Në të njëjtin vit, sipas buletinit të bashkisë, u zgjerua dhe rruga "28 Nëntori", u prishën një varg dyqanesh të bukura dhe u formua e njëjta rrugë që vazhdon të jetë dhe sot. Për herë të parë është hartuar një plan rregullues nga inxhinier Eshref Frashëri dhe qyteti vazhdoi të ndërtohej sipas një plani të studiuar. Me shpalljen e Tiranës kryeqytet (1920), pjesa më e madhe e nëpunësve filluan ndërtimin e shtëpive të reja, ndërsa bashkia do të vazhdonte projektet për hapjen e rrugëve të reja dhe rregullimin e atyre ekzistuese. Në vitet 1926-1927, sipas dokumenteve që sot ndodhen në Arkivin e Shtetit, u hap për herë të parë “Rruga Mbretënore” (“Rruga e Barrikadave”) që brenda një kohe tepër të shkurtër do të bëhej një nga rrugët kryesore. Pak më vonë, në vitet 1928-1929 u zgjerua dhe u sistemua bulevardi "Musolini" (sot “Rruga e Kavajës”), një nga arteriet më kryesore të kryeqytetit, i cili u asfaltua në vitet '34-'37. Në fillimin e këtij bulevardi u ndërtua Pallati Qendror i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, i cili zinte një sipërfaqe prej 1.500 metra katrorësh dhe kishte kushtuar 600.000 franga ari. Sipas dokumenteve, më 1930 u ndërtua dhe ajo që do të quhej rruga më e bukur dhe më e rëndësishme e Tiranës, bulevardi "Zogu i Parë", që fillonte nga Kodra e Pashës deri në Brakë. Të gjitha arteriet në pjesën më të madhe të tyre ishin të shtruara me pllaka asfalti në mënyrën më moderne dhe ishin zbukuruar me drunj ekzotikë. Gjithashtu, u ndërtuan me mijëra shtëpi, të cilat i dhanë kryeqytetit të ri pamje shumë të mirë. Në qendër të bulevardit “Zogu i Parë” në bazë të planit të projekteve të arkitektit italian, Florestano de Fausto, u ndërtuan gjashtë pallatet e ministrive në vitin 1931 dhe pallati i bashkisë në 1929-1931, u sistemua sheshi “Skënderbej” në një park modern në 1936-1937, i cili do të shtrihej deri në lagjen e Tiranës së Re tek blloku i Shallvareve. Sipas dokumenteve të shkruara të kohës, i gjithë qyteti kishte 7.654 ndërtesa dhe banohej prej 24.407 banorësh definitivë dhe 11.693 banorëve provizorë. I gjithë qyteti përfshinte një sipërfaqe prej 8 kilometrash, kurse në 1912 ai ishte vetëm 3 kilometra katrorë. Në të njëjtën kohë janë ndërtuar dhe asfaltuar dhe shumë rrugë të tjera të kryeqytetit, të cilat vazhdojnë të kenë të njëjtën pamje dhe përmasa që kanë pasur që në vitin '37.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›