E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Komisionerët e LSI-së, në dorë të Ramës

Në rast se PS-ja dhe LSI-ja negociojnë dhe gjejnë gjuhën e përbashkët për çështjen e komisionerëve, PD-ja e mirëpret cilëndo zgjidhje që do të vijë prej dy partive të majta. Ky është qëndrimi më i fundit i kreut të mazhorancës, Sali Berisha, i shprehur në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat pa praninë e mediave. Sipas tij, futja e LSI-së në komisionet zgjedhore nuk do t’i prishte punë të djathtës, nëse PS-ja e pranon një gjë të tillë. Por, derisa e majta brenda saj të ketë një qëndrim përfundimtar lidhur me këtë çështje, mazhoranca ka vendosur ta miratojë sot në seancë parlamentare Kodin e ri Elektoral. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje grupin parlamentar të PD-së se çështja e komisionerëve të LSI-së tashmë është në dorë të socialistëve. Sipas tij, hyrja e komisionerëve të partisë së Ilir Metës nuk përbën aspak problem për PD-në, por kjo çështje tashmë i përket PS-së. Kreu i qeverisë informoi deputetët e tij se vëzhguesit do të kenë status të njëjtë me anëtarët e numërimit të votave. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, ku në radhën e tyre ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe kreu i PDR-së, Genc Pollo, deputetëve iu shpërnda drafti i Kodit të ri Elektoral. Ata do të njihen me dokumentin që përcakton qartë infrastrukturën e re të zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës. Mbi bazën e tij u përcaktuan dhe diskutuesit demokratë për në seancën e sotme parlamentare. Në këtë mënyrë, PD-ja, deri në miratimin e draftit të Korit të ri Elektoral është në pritje të socialistëve, nëse do të dialogojnë me partinë e Ilir Metës për çështjen e komisionerëve. Nga ana e saj, kryetarja e grupit kuvendor të PS-së, Valentina Lekaj, pas mbledhjes së djeshme të grupit, bëri të ditur se partia e saj është e gatshme të dialogojë për këtë çështje. Ndërsa lideri i mazhorancës, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit të PD-së, vuri në dukje se nuk mund të negociojë me parti të tjera opozitare, përveç Partisë Socialiste, të votuar nga zgjedhësit shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›