E Diel, 1 Nëntor 2026

Çakalli shpëtoi Millosheviçin nga shqiptarët

Share

Cakalli

Terroristi më famëkeq në botë, venezuelasi Karlos, që aktualisht përsëri po gjykohet në Paris për katër sulme të organizuar dhe të kryesuar nga ai me shpërthime bombash, si rezultat i të cilave janë vrarë qindra vetë gjatë viteve 1982-1983, në fillim të viteve 1990 e ka shpëtuar udhëheqësin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç, nga një atentat të porositur nga shqiptarët, shkruante këto ditë gazeta kroate Sllobodna Dalmacija, duke iu referuar një libri autobiografik të sapopublikuar, Anatomia e tumorit global me autor Dragan M. Filipoviç, ish-shef i madh i policisë sekrete jugosllave.

Ky i fundit, në librin e tij të lartpërmendur, shkruan se shqiptarët kishin angazhuar, duke paguar një shumë mjaft të madhe, organizatën Kolona e hekurt, që ishte pjesë përbërëse e rrjetit të ushtrisë revolucionare të fshehtë të Karlos Ramirez Sançez Iliçit, i njohur gjerësisht edhe me nofkën Çakalli, që të organizonte një atentat për vrasjen e Millosheviçit. Policia sekrete jugosllave, në mënyrë operative, u vu në dijeni të atentatit që po përgatitej kundër Millosheviçit nga ana e Kolonës së hekurt, kështu që kërkoi menjëherë vetë Karlosin, të cilin nuk e kishte të vështirë që ta gjente, mbasi prej një kohe të gjatë ajo (policia jugosllave) mbante lidhje me Karlosin, i cili madje edhe kishte vrarë në emër të saj armiq të shtetit jugosllav që vepronin jashtë, sidomos pjesëtarë të emigracionit politik kroat ustash.

Si shpërblim, sikurse shkruan Filipoviçi në librin e tij të lartpërmendur, Karlos Çakalli kishte pushuar në kampet e pushimit ose vilat qeveritare në Dubrovnik, Split dhe Zagreb, madje edhe pas vdekjes së Titos, me amanetin të këtij të fundit. Sipas Filipoviçit, Karlosi hyri në kontakt me policinë jugosllave dhe i tregoi asaj emrat e pseudonimet e pjesëtarëve të Kolonës së hekurt, një grup vrasësish të paguar që ishin ngarkuar të vrisnin Millosheviçin, si dhe numrat e llogarisë bankare përmes të cilëve shqiptarët kishin paguar për atentatin që i kishin porositur Kolonës së hekurt dhe si përfundim, kjo e fundit hoqi dorë nga atentati në fjalë.

Po ashtu, ish-shefi i policisë jugosllave shkruan në librin e tij se, në një rast, Jovica Stanishiç, një zbulues i nivelit të lartë në policinë sekrete jugosllave të Titos, në vitin 1975, e kishte arrestuar në hotelin Metropol të Beogradi,t Karlosin, por se me një urdhër nga shumë lart ai u lirua menjëherë dhe më pas u nis si një punëtor i një ndërmarrjeje ndërtimi për në Irak.

Sikurse dihet, Karlosi, i arrestuar nga zbulimi francez më 1994 në Sudan, u dërgua po atë vit në Paris, ku u gjykua dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy agjentëve të policisë franceze.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›