Oketa: Në aleancë me LSI-në humbëm qytetet e mëdha
Deputeti demokrat, Gazmend Oketa, në një intervistë për gazetën Shqip, thotë se në këto zgjedhje që kaluan, PD u tkurr, çka tregoi se ajo mori kostot më të mëdha. Oketa thotë se edhe pse ishin në koalicion me LSI, humbën qytetet më të mëdha. Fakti që në zgjedhjet e fundit pati tkurrje të numrit të votave të PD si subjekt politik dhe sipas pretendimeve të LSI kjo forcë kishte rritje, do të thotë që kostot më të mëdha i ka marrë PD, si forca e cila drejton koalicionin. Pavarësisht faktit se në zgjedhjet e fundit garuam me LSI-në bashkë, përsëri nuk arritëm të fitonim në shumë qytete të mëdha. Se çdo të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme me këtë koalicion do e vendosin strukturat drejtuese të partive përkatëse. Ndërsa qytetarët gjykojnë dhe vendosin me votë, tha Oketa. Njësoj si me Sali Shehun, Oketa ka lajmëruar votën e tij pro dekretit të ri të Topit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Topi ka dekretuar Bujar Leskajn për këtë post.