Çako: Duhet të shpërblehemi,s’krijohet në varfëri
alma mileVetëm pak ditë më parë, kolegët e tij krijues e zgjodhën president të “Albautor”-it, agjencisë që mbron interesat e krijuesve shqiptarë. Kjo agjenci ka afro 18 vjet që është krijuar, megjithatë gjatë kësaj kohe, nuk është bërë shumë për të mbrojtur të drejtat e autorit. Pirro çako, tanimë në krye të kësaj agjencie tregon se ku ka çaluar puna në këto vite dhe cilat do të jenë hapat që do të ndërmerren për të dalë nga situata, që artistëve t’u kthehet besimi tek “Albautor” dhe më në fund të shpërblehen për punën e tyre. Z. çako, një javë më parë u zgjodhët nga asambleja e artistëve, president i “Albautor-it”, si ju duket kjo detyrë e re?Do të doja të falënderoja kolegët për besimin që treguan ndaj meje, duke më votuar. Jam i ndërgjegjshëm që është përgjegjësi e madhe. Kam qenë gjithnjë partizan i futjes së këtij mekanizmi në Shqipëri, por nuk është e thjeshtë. Unë jam anëtar i “Albautor”-it dhe njëkohësisht anëtar i SACEM-it (Société des Auteurs, Compositeurs et Éditeurs de Musique) të Francës. Kam shkuar shumë herë atje, zotëron një ndërtesë sa TKOB-i, me rreth 400 zyra. E thashë këtë për të kuptuar që “Albautor”-i me apartamentin e tij, gjithsesi komod, është një fëmijë i vogël në krahasim me institucionin simotër. Megjithatë është një fëmijë 18-vjeçar, çfarë nuk ka funksionuar në punën e kësaj agjencie?është bërë shumë pak në këto 18 vjet nga “Albautor”. Por duhet të kuptojmë që Agjencia është themeluar në ’92-shin nga Neshat Tozaj, ndërkohë që ne kishim hyrë në sistemin demokratik në vitin 1991. Aso kohe njerëzit dëgjonin për herë të parë fjalën demokraci dhe jo më “të drejtën e autorit”. Kjo është një praktikë që edhe në botë ka vetëm 50 vjet që njihet. E drejta e autorit është një mekanizëm shumë modern dhe shumë inteligjent, i futur nga perëndimi, që shpërblen autorët për punën e tyre përmes përdoruesve. Gjithandej ka probleme, si në rastin e monitorimit, por funksionon dhe vjen gjithnjë në përmirësim. Vitet e fundit është folur shumë për këtë çështje dhe pikërisht në këtë periudhë duhet të ishte bërë edhe më shumë punë konkrete. Gjërat u bënë të qarta, artistët u ndërgjegjësuan, kuptuan se çfarë ishte e drejta e autorit, pasi kuptuan dhe asimiluan demokracinë. Por nuk mund të mjaftonte vetëm ekzistenca e agjencisë. Artistët që kanë bërë muzikë, një pjesë të rëndësishme të fondit të artë kanë marrë shpërblime fare të vogla, simbolike, si për mëshirë, në një kohë që vepra e tyre është e madhe. Sa beson komuniteti i artistëve se do të vjelin frytin e punës së tyre?Unë bëj pjesë tek ata artistë që e shihja si një mollë të ndaluar të drejtën e autorit. Si të gjithë artistët isha i demoralizuar, e kisha humbur besimin se mund të shpërblehesha për punën e time. E shihja “Albautor”-in si diçka që nuk më përkiste... Kjo është edhe arsyeja pse mbledhjen e fundit të Asamblesë, pjesëmarrja ishte e vogël. Tani më duhet të siguroj kolegët e mi se nuk do jetë si më parë. Ne të gjithë jemi partnerë në këtë agjenci. Krijimtaria është biznesi ynë dhe më dhemb njëlloj ai ata. Sot jam president, nesër nuk jam asgjë, por do vazhdoj të jem anëtar sepse do të vazhdoj të krijoj. Jam zgjedhur të bëj diçka konkrete me ndihmën e kolegëve do përmendja edhe pjesën tjetër të bordit, poetin Jorgo Papingji e kompozitorët Shpëtim Saraçi, Vaso Tole e Nestor Kraja. është e sigurt që nuk do të bëjmë mrekullira as në 18 muaj, pasi është një mekanizëm shumë i vështirë, por artistët duhet të kenë besim e të afrohen tek “Albautor”-i. Ka nevojë për një rifreskim të veprave që janë listuar dhe ftoj edhe kompozitorët e rinj shumë të suksesshëm që nuk figurojnë fare në këto lista. Unë i siguroj se gjithçka do ta ndajmë së bashku. Do jem njeriu më i lumtur nëse do arrijmë që në fundvit të gjithë autorët të marrin atë që u takon. Dhe shpresoj që vitin që vjen të gjithë ata që bëjnë pjesë në këtë listë të marrin një shpërblim.Duket tepër e bukur, por si do të arrihet kjo?Kjo do të arrihet me bashkëpunimin me radiot dhe televizionet private, duke bashkëpunuar me shtetin për të vjelë detyrimin nga përdoruesit, duke bashkërenduar strategjitë me agjencitë simotra, por edhe duke ndërgjegjësuar opinionin publik mbi të drejtën e autorit, për të cilën ende nuk e kanë idenë. Nëse paguajnë për programe që ofrojnë platformat dixhitale, të cilat më parë i merrnin falas, duhet të paguajnë edhe për muzikën. Ne prodhojmë dhe duhet të shpërblehemi për punën tonë. Cili do të jetë raporti juaj me institucionet shtetërore?Duhet të bashkëpunojmë ngushtë me Zyrën e së Drejtës së Autorit dhe institucionet shtetërore. Bashkëpunimi me shtetin, për të vendosur një taksë fikse për të drejtat e autorit më duket idealja. Baza më e madhe “fitimprurëse” prej së drejtës së autorit janë përdoruesit. Do të merrja si shembull lokalet, që numërohen rreth 15 mijë. Një taksë minimale mujore e tyre do të na jepte ne siguri, sepse jo të gjithë artistët janë në treg, apo të rinj, por kanë lënë një vepër. Nuk mund të punosh në krijimtari të lirë me frikën se nesër nuk do të kesh një pension. Nuk jam për variantin që të rrimë me vite gjyqeve. Kjo mund të ndodhë me institucione të padisiplinuara, por baza është bashkëpunimi me shtetin dhe vendosja e një takse të rregullt, tarifat e të cilave mund të vendosen në bazë të hapësirave, vendndodhjes, etj. Një burim i madh fitimi janë kompanitë celulare. I shoh nëpër ekrane se si reklamohet shkarkimi i këngëve për zile celularësh dhe autori duhet të marrë patjetër diçka nga ky shërbim. Tanimë kjo është kthyer në modë dhe po shkojmë drejt virtualizimit të gjërave, tek shkarkimi i albumeve përmes celularëve. Po zhduket CD-ja e po kalohet në virtualitet. Dihet se diskografia ka rënë. Albumi im i dytë është shituar më pak, por është piratuar më shumë në internet, çka tregon se shtëpitë diskografike janë në krizë e duhet të hyjmë në këtë sistem.Cilat janë kërkesat tuaja ndaj radiove e televizioneve?Radiot e televizionet duhet të na ofrojnë listat e materialit muzikor që transmetohet, që ne t’i hedhim në një server qendror dhe ta monitorojmë në kohë reale, për të nxjerrë një skedinë se cilët janë njerëzit që xhirojnë dhe transmetohet më shumë. I dimë me hamendje, por nuk mund të themi me saktësi, dhe këtu nuk ka të bëjë sasia e krijimit, por cilësia e tij. Flas për muzikën e lehtë dhe atë klasike, e cila për të qenë realistë, nuk mund të ketë atë dëgjueshmëri sa ajo e lehtë. Mendoni se kjo do të mund të sjellë edhe një “pastrim” të krijimtarisë muzikore, e cila gjithashtu ka qenë në tranzicion?Kur merr të drejtën e autorit kupton se vlen, se ke bërë diçka, të ka shpërblyer puna jote. E ndien veten artist dhe investon akoma më shumë për të bërë një gjë më të mirë, duke u larguar nga mediokriteti nga gjërat “për të fituar ca lekë”, por e mendon me kujdes, që ajo të jetë një trashëgimi edhe për të ardhmen. Ky është thelbi që muzikanti të punojë si profesionist. Këtu do të ndahet shapi nga sheqeri. Nuk do mund të zhduket abuzivizmi, por do të dalë më në pah artisti i vërtetë. Një vend ka nevojë për art, por duhet të jetë modern, e për të qenë i tillë kërkohet mirëqenie, çka nuk e gjen në varfëri, si prindërit tanë. Ne nuk kemi biznese, nuk ndërtojmë pallate, por krijojmë. Ju garantoj se shifrat që ne fitojmë janë shumë modeste. Kjo është një sfidë e bukur, të cilën ne duam ta arrijmë. Brenda katër viteve duhet të ndërtojmë disa gjëra të qëndrueshme dhe që në atë ardhmen, askush të mos e vërë më në diskutim të drejtën e autorit. Kam shumë besim në këtë. Ashtu si thuhet në albumin tim të parë “Herët a vonë”, do të ndodhë. Dhe nuk është shumë larg. Si rezultojnë eksperiencat e vendeve fqinje?Nuk di shumë statistika, por nëse do të marr shembull Rumaninë, mbledh rreth 100 milionë euro nga e drejta e autorit, ose po të vijmë më afër, tek Maqedonia, e cila ka një popullsi gati sa të tonën, që mbledh rreth 6-7 milionë euro në vit. Kjo do të thotë se funksionon. Dhe kjo sepse funksionon shteti. Dhe pse jo ne?Por kjo do strategji, baza të palëvizshme dhe jo punë me individë, por me lobing me shtetin. Mbrojtja e së drejtës së autorit është edhe kërkesë e MSA-së, mendoni se kjo do t’ju ndihmojë?Nuk më pëlqejnë gjërat formale. Problemi qëndron tek ndërgjegjësimi, që ky proces të bëhet me vetëdije. Kur kjo ndodh, atëherë do të thotë që politikani e ka kuptuar artistin dhe ai nuk do të jetë më ai politikani që është sot, por i së ardhmes.