Çamët protestojnë para selisë së KE në Tiranë
TIRANË- Përfaqësues të komunitetit çam kanë protestuar sot para selisë së KE-së delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë. Me pankarta në duar dhe thirrje drejtuar ndërkombëtarëve, ata kanë kërkuar të zgjidhet çështja e tyre dhe të vendoset drejtësia.
Në krye të protestuesve kanë qenë deputetët e Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, sipas të cilëve sa më shpejt i duhet dhënë zgjidhje këtij problemi të mprehtë që ka të bëjë direkt me respektimin e të drejtave të njeriut.
Sipas tyre nuk mund të ketë anëtarësim të Shqipërisë në familjen europiane, pa u zgjidhur një çështje kaq e rëndësishme sa ajo e komunitetit çam.
"Çamët kërkojnë që Greqia të pranojë fajin për genocidin dhe të dëmshpërblejë familjet e viktimave"- ka thënë Idrizi, duke i qëndruar kështu kërkesave të bëra që në fillim, teksa njoftoi themelimin e partisë së re.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e komunitetit çam, të mbledhur sot në protestë kanë deklaruar se do të vijojnë me përshkallëzimin e protestave deri sa kërkesat e tyre të plotësohen.