Berisha: Rama udhëheqës pa brekë, i mohoi fëmijës së tij kafshatën
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur nga selia e qeverisë pjesëmarrësit në mitingun e djeshëm dhe ka lëshuar akuza të tjera ndaj liderit të opozitës Edi Rama.
Sipas tij, në shesh dje u bashkuan gjysmë milioni qytetarë në një miting që ai e cilësoi si më madhështorin organizuar ndonjëherë ne histori.
Më poshtë pjesë nga fjala e S.Berishës:
Sot pas 19 vitesh një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste, por do të më falni, se do të shprehem, një udhëheqës pa brekë, sepse siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, nuk ekziston një politikan që vazhdon karrierën politike pas një akti apo një gjesti të tillë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuej. Pse kjo? Absolutisht fund e krye, vetëm për interesa mafioze të pastra. Votën tuaj e kanë bekuar, e kanë legjitimuar 20 mijë anëtarë të Partisë Socialiste, të gjitha institucionet ndërkombëtare, të gjithat qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende të lira të botës. Por votën tuej nuk mund ta njohë një njeri , i cili është i vetmi që unë di sot, për 9 vite me radhë, i mohoi kafshatën fëmijës së tij.
E atëherë çfarë mendoni ju se ky shok apo ky zotëri, do të mund të pranojë votën tuej, do të mund të pranojë fëmijët tuaj, do të mund të pranojë familjet tuaja? Kurrën e kurrës! Ai që i mohon fëmijës së tij atësinë, ai, jo votën, por është i gatshëm t'ju mohojë ju çdo gjë. Ky pinjoll, i një babai që firmoste ekzekutimin e intelektualëve, pikërisht muajin kur shembej muri i Berlinit, na shprehet se është krenar me trashëgiminë e tij, madje dhe kërcënon me trashëgiminë e tij.
Të dashur qytetarë dhe qytetare!
Unë ju ftoj ju të mos konfondoni, aty ku punoni dhe jetoni, kurrë dhe asnjëherë, këtë zotëri, këtë shok, me fqinjin tuaj socialist, me të afërmin tuaj socialist, as edhe me opozitën, e cila është një vlerë morale e pakontestueshme për vendin. Pasi ky zotëri nuk ka asnjë interes opozitar, nuk ka asnjë interes demokratik, ka thjesht vetëm një kauzë mafioze, kauzë e cila qëndron në përvetësimin e qindra mijëra, në mos miliona metra katror, troje publike në Tiranë, me klanet mafioze që e drejtojnë dhe i drejton; kauzë e cila konsiston në mbylljen e rrugëve dhe ndërtimin mbi rrugët e kryeqytetit; kauzë, e cila konsiston në shndërrimin në bashkëpronar në tokat dhe trojet publike, sikur të ishin trashëgimi e të atit dhe jo pronë e qytetarëve shqiptarë; kauzë, e cila konsiston në shpifjet dhe trillime të ulëta, të përditshme, ndaj cilitdo, në mënyrë që të krijojë përshtypjen se këtu në Shqipëri janë të gjithë të përlyer si ai. Dy vite me radhë, ka sulmuar me egërsinë më të madhe familjen time, fëmijët e mi, dhe së fundmi nipat dhe mbesat e mia, duke mos u paraqitur shqiptarëve qoftë edhe dokumentin edhe më të vogël, të shkeljes më minimale të ligjit, të përfitimit të pamerituar, të mospagimit të taksave, qoftë edhe një rast të vetëm. E vërteta është se këtë ai është i gatshëm ta bëjë me fëmijët e gjithsecilit prej jush, me bashkëshortet e gjithsecilit prej jush për fajin e vetëm se ato nuk zhvishen plazheve, siç i zhvesh ai të vetat apo, ato janë të ushqyer, nuk u është mohuar kafshata, janë trajtuar siç duhen të trajtojë prindi fëmijën.
Edhe një herë ju ftoj të vazhdojmë rrugën tonë, rrugë dinjiteti, rrugë e lodhshme, rrugë suksesi. Të ecim të sigurtë, të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Dhe unë dua të zotohem sot prapë para jush, se ky pinjoll i Bllokut, nuk do të mund të luajë kurrë me vullnetin tuaj, se përpjekja e tij për të luajtur me votën tuaj dhe vullnetin tuaj, do të marrë përgjigjen më serioze ligjore dhe se çfarë do që të bëjë ky bos i aleancës punisto-mafioze, s'do të mundet kurrë të bllokojë çmontim çdo ditë të klaneve mafioze, që ai udhëheq, nxjerrjen nga kthetrat e tyre të pasurive publike që kanë përvetësuar, vendosjen e tyre para ligjit. Dhe në këtë betejë, edhe një herë e theksoj, në mënyrë absolute, nuk do të ketë asnjë nuancë politike. Ata, të cilët, vënë në dyshim karakterin jopolitik të kësaj beteje, i ftoj të paraqesin qoftë edhe dokumentin më të vogël ndaj cilitdo dhe të provojë nëse Sali Berisha do të qëndrojë një lloj apo jo.