E Diel, 1 Nëntor 2026

Statuti, Biberaj propozon: Në parti, jo komunistë

Në prag të Kongresit, anëtari i kryesisë së PD-së, sjell një paketë ndryshimesh për statutin e partisë


TIRANË - Në prag të zhvillimit të Kuvendit, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka propozuar dje një paketë ndryshimesh thelbësore për statutin e kësaj partie. Një nga kompetencat e Kuvendit të PD-së është edhe miratimi i statutit të kësaj partie. Për këtë arsye, Biberaj propozon disa ndryshime, me qëllim që ato të implementohen në statutin e ri të partisë.


Edhe pse për këtë çështje është ngritur një grup pune në PD, Biberaj sjell një draft krejt të ri të përgatitur në mënyrë individuale ku ndalet në disa çështje kyçe, për funksionimin e kësaj partie. Biberaj propozon ndryshime, që nga kriteret për anëtarësim në parti, duke guxuar në fakt që të fusë një pikë, e cila do të sillte rokadë në PD në rast se do të pranohej.


Për Biberajn, një person që të anëtarësohet në Partinë Demokratike, duhet që së pari, të mos ketë qenë pjesë e nomenklaturës së sistemit komunist apo ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe bashkëpunëtor legal apo ilegal i këtij shërbimi. Një propozim që në fakt nxjerr jashtë loje vetë kryetarin e PD-së, Sali Berisha,


i cili prej shumë vitesh ka qenë sekretar i Partisë së Punës. Sipas ish-deputetit Biberaj paketa e paraqitur prej tij, parashikon një rotacion të elitave drejtuese në Partinë Demokratike, aq më tepër kur ato kanë qenë të lidhura me regjimin politik të dikurshëm.


Për këtë arsye, Biberaj propozon që të zgjedhurit për lidershipin e partisë nuk mund të zgjidhen më shumë se dy herë radhazi dhe në rast humbje atyre duhet t'u ndërpritet mandati. E njëjta mënyrë procedimi parashikohet edhe për nënkryetarin e partisë dhe sekretarin e përgjithshëm të saj.


Sipas Biberajt, nënkryetarët e partisë si dhe sekretari i përgjithshëm nuk duhet që të konsumojnë më shumë se dy mandate radhazi. Në frymën e reformimit të Partisë Demokratike, për Biberajn, është e nevojshme që për zgjedhjet e strukturave drejtuese të aplikohet parimi "një anëtar, një votë". Sipas tij, zbatimi i këtij parimi do t'i sjellë një frymëmarrje më të madhe dhe do të rrisë demokracinë e brendshme të selisë blu.


Ai propozon gjithashtu që ish-presidentët e Republikës, ish-kryetarët e Kuvendit, ish-kryeministrat, ish-kryetarët e PD-së të bëhen automatikisht pjesë e kryesisë së PD-së. E gjithë paketa e përgatitur nga ish-deputeti i PD-së, është e bazuar në eksperiencën e Partive Popullore Evropiane, Partisë Konservatore Angleze, si dhe e Partisë Republikane Amerikane.


Biberaj: Të garantohet me statut siguria detare

TIRANË- Në paketën e paraqitur nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, për ndryshime në statutin dhe funksionimin e kësaj partie, parashikohet edhe çështja e sigurisë kombëtare.


Duke iu referuar debatit të madh, që ka lindur nga marrëveshja e nënshkruar midis Shqipërisë dhe Greqisë për delemitimin e ujërave territorialë midis dy vendeve, Biberaj ka propozuar që në statutin e PD-së të përfshihet një pikë e veçantë, me qëllim që të rritet interesi i sigurisë kombëtare. "PD duhet të garantojë sigurinë kombëtare, si dhe tërësinë territoriale tokësore, ujore dhe ajrore", - thuhet në draftin e propozuar nga Biberaj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›