E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çani: Tifozët, shtysë e madhe për Brazil 2014

caniSulmuesi i kombëtares kuqezi që luan në Seria A, shprehet se, “me pak fat mund tia dalin që të sigurojnë një vend për në botërorin e ardhshëm”

Nga Xhoi Malësia

Sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe i Katanias, Edgar Çani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën Sporti Shqiptar. Bomberi kuqezi foli për ecurinë e tij në kombëtare si dhe për gjendjen aktuale tek Katania. Lidhur me pozicionimin në vendin e 48 në renditjen e FIFA-s, Çani shprehet se kjo nuk është e rastësishme. Ndeshjen e kthimit me Norvegjinë në Tiranë, sulmuesi kueqezi thotë se mund ta fitojmë me pak fat, ashtu siç ndodhi në Oslo.

Për realizimin e ëndrrës Brazil 2014, Çani shprehet se, nevojitet që kombëtarja të luajë ndeshjet e mbeturat ashtu siç ka bërë me ndeshjet që ka zhvilluar deri tani në grup dhe kërkon që të mos ketë eufori pasi për të gjithçka është e mundur. Sa i takon Katanias, ekipit në Seria A, 23-vjeçari është aktivizuar vetëm në dy ndeshje që nga transferimi në janar. Ai është i vetëdijshëm se forma e tij nuk ka qenë shumë e mirë gjatë kësaj kohe por premton që sezonin e ardhshëm do të luajë më shumë.
-Përshëndetje Edgar dhe faleminderit që pranuat të intervistoheshit nga gazeta jonë.
Përshëndetje të gjithëve. Faleminderit edhe juve për ftesën.

-Edgar, në renditjen më të fundit të FIFA-s ndodhemi në vendin e 48-të? Çmund të na thoni për këtë ngritje në renditje nga kombëtarja?
Është hera e parë që ndodhemi në vendin e 48-të dhe kjo gjë nuk ka ardhur rastësisht. Kemi një grup mjaft të fortë me lojtar të rinj që luajnë me ekipe të mira. Fituam dy ndeshje në muajin mars dhe kjo gjë ndikoi që të ngrihemi në renditje.

-Me sa duket kombëtarja është përmirësuar shumë me ardhjen në ekip të lojtareve të rinj? Si ju duken lojtaret e grumbulluar dhe a jeni përshtatur lehtësisht me ta?
Kemi një grup mjaft të mirë dhe të fortë fizikisht. Të gjithë jemi të motivuar që të arrijmë rezultate pozitive dhe kjo na ka bashkuar më shumë. Jam përshtatur shumë shpejt me grupin madje shënova që në ndeshjen e parë me kombëtaren.

-Në ndeshjen me Norvergjinë do të luani me mungesa kryesore si Lorik Cana apo Andi Lila të cilët janë të pezulluar për shkak të kartonëve. A mendon se do tia dilni edhe pa ta?
Ndeshja me Norvegjinë është një ndër ndeshjet më të rëndësishme për vazhdimësinë në botëror. Do luajmë pa Lorikun dhe Andin të cilët janë titullar gjithmonë por shpresoj që mos ta ndjejmë mungesën e tyre. Me pak fat mund të fitojmë ashtu siç bëmë në Oslo.

cani2-Çfarë mendimi keni për trajnerin De Biazi dhe a përshtateni shpejt me skemat e tij? A do kishit dëshirë që atij ti ofrohej një zgjatje kontrate?
Mund të them që është ndër trajnerët më të mirë që jam stërvitur. Lojtarët që ai ka grumbulluar dhe mënyra se si na ka vendosur në fushë ka ndikuar shumë në rezultatet e arritura. Shpresoj të jetë me ne dhe vitet në vazhdim.

-A jeni optimist se mund të kualifikohemi për botërorin e vitit 2014?
Deri tani kemi luajtur vetëm gjysmën e ndeshjeve dhe jemi në vendin e dytë. Po të luajmë siç kemi bërë ndeshjet e fundit dhe të mos jemi euforik, gjithçka është e mundur. Gjithashtu dua të përshëndes të gjithë tifozët që na kanë mbështetur pasi kanë qenë një shtysë e madhe për ne.

-Me sa duket nuk po gjeni shumë hapësira tek Katania. A do kemi mundësi ta shohim Edgarin të luajë si titullar?
Tek Katania ndihem mjaft mirë. Jam duke bërë një punë të madhe që të luaj më shume pasi forma ime nuk ka qenë shumë e mirë në muajt e fundit. Sezonin tjetër do te kem mundësinë të luaj më shumë pasi ky sezon është drejt mbylljes.

-Edgar të falënderojmë dhe suksese.

Dua të bëj një përshëndetje për të gjithë tifozët që na kanë mbështetur dhe i bëj thirrje të vazhdojnë ta bëjnë pasi janë me të vërtetë një shtysë e madhe për ne.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›