E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çavi Hernandez, më i miri !

Mesfushori spanjoll, Çavi Hernandez, është zgjedhur lojtari më i mirë i Euro 2008 nga komisioni teknik i UEFA-s. 28-vjeçari i Barcelonës ka luajtur pesë ndeshje në këtë turne, i cili u fitua nga kombëtarja e tij me meritë. Rivaliteti ka qenë shumë i madh, por diçka ka qenë e sigurt që më parë: lojtari që do të zgjidhej, do të ishte nga skuadra iberike, pasi edhe loja që ata ofruan në këtë Evropian ka qenë spektakolare. Një nga rivalët për Çavi Hernandezin ka qenë dhe mesfushori i Vijarrealit, Markos Sena, i cili nga ana e të gjithë specialistëve është cilësuar si një “mur” i pakalueshëm përpara mbrojtjes.

Çavi arriti të shënonte vetëm një herë në këtë Evropian (golin e parë ndaj Rusisë në gjysmëfinale) dhe arriti të jepte një pasim shumë të saktë për Fernando Torresin, në golin vendimtar në finale ndaj Gjermanisë. “Lojtari i Barcelonës ka caktuar kohët e mesfushës së Luis Aragones”, kështu e ka shpjeguar zgjedhjen e lojtarit më të mirë Andy Roxburgh, trajner i Skocisë në Botërorin e 1990-ës, që u zhvillua në Itali dhe anëtar i organizmit të UEFA-s, që u zgjodh për të shprehur mendimet e tij tekniko-taktike rreth Euro 2008-ës. Por lojtari i Barcelonës është zgjedhur më i miri edhe falë votave të tifozëve, të cilat kanë pasur një konsideratë të veçantë nga grupi i teknikëve të UEFA-s. Fitorja 1-0 në Vjenë ka qenë ndeshja e 63-të e Çavit në kombëtaren spanjolle që nga debutimi i tij (bashkë me shokun e tij të skuadrës Karles Pujol) në 15 nëntor të vitit 2000 ndaj Holandës. Në Euro 2004 që u zhvillua në Portugali ka qenë një rezervë, por është kthyer titullar në Botërorin e 2006-ës që u zhvillua në Gjermani.

Skuadra ideale “flet” spanjisht

Komisioni teknik i UEFA-s ka zgjedhur edhe skuadrën ideale të Euro 2008, në të cilën figurojnë plot nëntë lojtarë të kampionëve të rinj të Evropës. Në listë gjithashtu janë edhe tre lojtarë gjermanë, katër rusë, dy holandezë e portugezë. Ndërsa me nga një lojtar janë përfaqësuar Italia, Kroacia dhe Turqia. Ja skuadra ideale: Portierë: Xhianluixhi Bufon (Itali), Iker Kasijas (Spanjë), Edvin van der Sar (Holandë); Mbrojtës: Bosingva (Portugali), Filip Lam (Gjermani), Karlos Marçena (Spanjë), Pepe (Portugali), Karles Pujol (Spanjë), Juri Zhirkov (Rusi); Mesfushorë: Hamit Altintop (Turqi), Luka Modriç (Kroaci), Markos Sena (Spanjë), Çavi Hernandez (Spanjë), Konstantin Zirianov (Rusi), Mihael Balak (Gjermani), Sesk Fabregas (Spanjë), Andres Iniesta (Spanjë), Lukas Podolski (Gjermani), Uesli Shnajder (Holandë); Sulmues: Andrei Arshavin (Rusi), Roman Pavliushenko (Rusi), Fernando Torres (Spanjë), David Vija (Spanjë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›