E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ups, qenkan plumba të vërtetë!

Francë, 17 vetë plagosen gjatë një demonstrimi ushtarak

17 vetë mbetën të plagosur dje në juglindje të Francës, gjatë një demonstrimi ushtarak, pasi ushtarët përdorën plumba të vërtetë, në vend të atyre manovër.

Ishte një demonstrim në një ditë të hapur në kazermat e regjimentit të parashutistëve “Laperrine”, ku marinarët po tregonin teknikën e tyre duke sulmuar një grup imagjinar që kishte marrë pengje. Skenari ishte provuar 4-5 herë, kur herën e gjashtë, pa ndonjë shpjegim, plumba të vërtetë përshkruan ajrin dhe ata që po shihnin u shtrinë në tokë. Sipas BBC-së, mes të plagosurve janë dhe pesë fëmijë, ndërsa katër persona ndodhen në gjendje kritike. Ushtari i cili qëlloi me plumba të vërtetë u arrestua menjëherë, megjithëse zyrtarët ushtarakë thanë se bëhet fjalë për një incident. “Është 99 për qind një gabim i  paqëllimshëm”, - tha koloneli Benoit Royal, kreu i  Shërbimit Informativ të Ushtrisë Franceze. Megjithatë, nuk është ende e qartë pse ushtari në fjalë përdori municionin e gabuar. “Nuk mund të përjashtoj asgjë, pasi askush nuk e di se çfarë zien koka e një njeriu”, - tha ministri i  Mbrojtjes, Herve Morin. Por, sipas tij, një ushtar me eksperiencë duhet të jetë i aftë të mos ngatërrojë plumbat manovër me ato të vërtetë. “Sipas të dhënave fillestare të hetimit, incidenti përfshiu vetëm një ushtar, i cili ka të dhëna të shkëlqyera dhe kishte mbi 8 vjet eksperiencë”, - shtoi ministri, duke theksuar se asgjë nuk të bën të mendosh se ushtari në fjalë ka probleme psikologjike. 15 nga të plagosurit ishin civilë, pesë prej të cilëve fëmijë që po shihnin manovrën në momentin kur u plagosën. Sipas mjekëve, vetëm katër persona ndodhen në gjendje të rëndë, megjithëse jashtë rrezikut për jetën. Plagët më të rënda i mori një burrë, i cili u qëllua në kraharor dhe ndodhet ende në gjendje kritike. Në një deklaratë për median, presidenti francez Nikolas Sarkozi shprehu tmerrin e tij për këtë incident, duke thënë se po pret me urgjencë rezultatet e hetimit zyrtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›