E Shtunë, 31 Tetor 2026

çfarë po ndodh në jug të Sarandës?

Kur nisa të shkruaj “Guida Blu për Shqipërinë” 20 vite më parë, komunizmi po rrëzohej dhe kishte shumë probleme reale në vend. Shumë njerëz nuk kishin për të ngrënë, dyqanet ishin bosh dhe pak qarkullim kishte në rrugë. Njerëzit shkonin në Greqi vetëm me rrobat e trupit. Libri im, që shumë shpejt u bë udhëzues autoritativ për të huajt në Shqipëri, ishte një guidë për një vend me një të kaluar shumë të pasur, por një të tashme të varfër. Por, peizazhet dhe ndërtesat ishin të mrekullueshme dhe nuk kishte askund më mirë sesa në Butrint apo rajonin përreth. Saranda vetë është një qytet i vogël i këndshëm me shumë shitës që të vijnë në ndihmë. Edhe pse shumë prej njerëzve që banojnë këtu janë të varfër, ata janë shumë krenarë që janë shqiptarë dhe kanë njohuri shumë të mira për historinë, ashtu si mësuesit e vjetër komunistë e kanë kuptuar atë. Edhe pse burimet janë të kufizuara, vizita në Butrint është përherë një përvojë e këndshme, një vend me një peizazh të jashtëzakonshëm në rrënoja, siç shkruaja në edicionin e parë. Ka një pastërti natyrore në këtë peizazh dhe nuk ka më mbeturina përreth. Një fluks i madh turistësh e viziton këtë vend tani. Përgjatë rrugës, Ksamili ishte dikur një fshat i vogël dhe i pastër, me pak shtëpi të vogla me pamje nga deti. Qielli e deti ishin blu. Tani gjithçka është ndryshe. është një ferr, me rrugë të papërfunduara, ndërtesa kaotike pa furnizim me ujë. Ndërsa në Butrint gjithçka është shumë e mirë-rregulluar, diku tjetër në Sarandë gjithçka rrezikohet nga ndërtimet pa leje, zhvillimi arbitrar dhe mungesa e respektit për natyrën. Pemët duket se janë armiqtë e njerëzve në Ksamil. Ksamili është kthyer në një vend ndërtimi të shëmtuar dhe gjithkund ka mbeturina, shkatërrim mjedisor. Ka një rrugë të gjerë që të çon nga Saranda në Butrint, që është e panevojshme – një zgjerim i vogël do të ishte i mjaftueshëm për trafikun e zakonshëm të makinave këtu. Kur isha në Sarandë me autoren dhe albanologen Miranda Vickers, ne pyetëm banorët lokalë se ç’mendonin për këtë. Shumë njerëz janë të nevrikosur dhe kritikë ndaj krizës mjedisore, por duket se kjo është e paevitueshme si pjesë e turizmit. Por, nuk është e vërtetë. Turizmi ka nevojë për planifikim dhe rregullim, ashtu siç bëjnë tregjet në botën moderne. Nuk është, edhe pse shumë gjëra nuk dihen në këtë drejtim. Disa vjet më parë ne takuam ekspertët e trupave amerikane të Paqes që kishin ardhur me një plan të qartë për këtë qytet, me një program për mbledhjen e pemëve dhe shumë ide të mira. Një grup i vogël njerëzish tashmë ka nën kontroll Sarandën dhe zhvillimin rajonal, dhe nuk duket se janë shqiptarë. Ata janë të interesuar për përfundime të shpejta, por jo për trashëgiminë kulturore shqiptare. Ka pasur humbje të tmerrshme gjatë periudhës së fundit në këtë drejtim. Në përpjekje për të nxjerrë përfitime, Butrinti është shkatërruar në këtë proces, për shembull. Pemë të panumërta janë prerë, përfshi këtu edhe ato të ullirit dhe vështirë të shohësh gjelbërim këtu. Retë e pluhurit mbushin ajrin në verë dhe shumë baltë ka në dimër. Bosët e Sarandës dhe Butrintit po bëjnë të njëjtat gabime si edhe në Spanjën jugore gjatë viteve 1960-1970. Një çift holandez nga Rotterdami na tha se kishin ardhur të shihnin Shqipërinë e të qëndronin një javë, por në fakt ata do të ktheheshin pas tre ditësh. “Nuk erdhëm këtu për të kaluar pushimet në një vend që duket si kantier ndërtimi”, - thanë ata. Kudo në botë turizmi është konsideruar si i aftë të shkatërrojë ekonominë lokale, por kjo s’po kuptohet ende në Shqipëri. Më vjen në mendje proverbi i vrasjes së pulës që bën vezën e artë. Nëse ke një vend arkeologjik si Butrinti duhet një plan i rëndësishëm rajonal për ta mbrojtur. Shpallja e zonës së parkut kombëtar dhjetë vjet më parë ishte një nisje e mirë, por tashmë ky park është kërcënuar nga ndërtimet e paligjshme.
Saranda në vetvete është një tjetër shkak për shqetësim. Ndërtimet e paligjshme dhe gjysmë të ligjshme po përhapen në kodrinat pas qytetit. Shumë ndërtesa nuk janë ndërtuar për t’u bërë ballë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore. Nuk ka furnizim me ujë në të gjitha vendet. Nëse shkon nga Saranda drejt Nivicës sheh qindra qese me hedhurina dhe shumë materiale ndërtimi të lëna në rrugë. Një strukturë gjigante betoni ka shkatërruar stacionin e vjetër të autobusit. Në prapavijë për disa çështje, dora e lobit të Vorio Epirit ndihet edhe këtu. Paratë greke përhapen shpejt në Sarandë. Rrugët janë ndërtuar nga kontraktorët grekë, për interesa greke, pavarësisht nga ai pakti për detin që fatmirësisht u hodh poshtë nga gjykatat shqiptare. është e dobishme që të ketë disa rrugë të reja natyrisht, por këto nuk janë autostrada normale. Ato kanë ambiciet nacionaliste greke të shkruara në secilën prej tyre, dhe kjo nuk është rastësi që ato janë duke u ndërtuar në një shkallë masive, për të marrë të ushtrisë greke mjetet e rënda të blinduara në rast të një emergjence në të ardhmen në atë zonë. Nuk ka asnjë shenjë në to se për çfarë nevojiten në të vërtetë, për të ndihmuar njerëzit që ndodhen në fshat apo për të mbajtur shoqëritë funksionale atje...Por nëse gjërat shkojnë keq në tokë, çfarë mund të themi për detin? Këtu problemet janë edhe më keq. Komunizmi nuk e ndoti detin edhe aq shumë, sepse shumë pak njerëz e vizitonin Ksamilin. Asnjë pjesë e plazhit nuk është tërësisht e pastër për shkak të ujit të ndotur që prej vitit të kaluar nga ndërtesat e paligjshme. Kudo tjetër duhet të ecësh ngadalë, në mënyrë që të mos shkelësh mbeturinat apo ujërat e zeza të grumbulluara. Ky është një rrezik, sidomos për shëndetin e njerëzve. Pse lejohet kjo nga Bashkia? Nuk është vetëm një çështje lokale. Pa infrastrukturë asnjë turist nuk mund të vijë. Nuk duhet të jetë kështu. Dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet më parë në plazhin e Shëngjinit, kisha vënë re se atje zona ishte e ndotur dhe e pafrekuentuar.
Tashmë është fare e arsyeshme që gjërat të përmirësohen gradualisht. Disa pjesë të plazhit të Durrësit janë më të mira sesa kanë qen,ë por ama ka shumë punë për të bërë për të arritur standardet europiane. çfarë mund të bëjmë ne? Unë kam ndalur punën për edicionin e ri të librit sepse nuk besoj se do të ketë turistë kurajozë, që duan të vizitojnë këtë zonë. Guida ime ka sjellë shumë vizitorë dhe shumë vëmendje për turizmin shqiptar. Por ato ditë kanë marrë fund. Ndoshta duhet një garë kombëtare për ministrin e parë të qeverisë që dëshiron të bëjë not në afërsi të portit të Sarandës?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›