E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeki - Shqipëri bashkëpunim kundër krimit të organizuar.

Shqipëria dhe Çekia do të rrisin bashkëpunimin në luftën ndaj krimit të organizuar. Kjo është sanksionuar pak ditë më parë në Pragë, Çeki, ku Zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri dhe Ministri i Brendshëm i Republikës çeke Ivan Langer nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar.

Kjo marrëveshje e cila është më e reja në vazhdën e shumë të tjerave të nënshkruara me vendet e Bashkimit Evropian gjatë viteve të fundit, parashikon shkëmbimin e informacionit në kohë reale për veprimtaritë kriminale në fushën e trafikut të drogës, trafikut të armëve, trafikut të qënieve njerëzore, terrorizmit, pastrimit të parave etj.

Në takimin dypalësh mes z. Strazimiri dhe z. Langer, u shpreh me vendosmëri vullneti politik si dhe angazhimi konkret mes strukturave përkatëse të të dy vendeve, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit të ngushtë në kuadrin operacional. Ministri Ivan Langer u shpreh optimist për të ardhmen e bashkëpunimit midis Çekisë, Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, duke theksuar se arritjet dhe përparimet e bëra nga vendi ynë e kanë afruar më shumë drejt antarësimit në BE.

Ministri Langer u shpreh se është personalisht i angazhuar për aplikimin sa më të shpejtë të liberalizimit të vizave me Shqipërinë.

Gjithashtu, Zëvendësministri i Brendshëm, z. Strazimiri morri pjesë në takimin e Ministrave te Brendshëm të Evropës, të organizuar në Pragë në datat 27-28 Prill nga Presidenca Çeke e BE, për migracionin e organizuar dhe sfidat që ai paraqet. Në fjalën e tij, z. Strazimiri e vuri theksin në rezultatet e qeverisë shqiptare ndaj migracionit të paligjshëm, duke përmendur transformimet e thella që kanë pësuar strukturat kufitare të policisë shqiptare. ''Që prej vitit 2006, numri i klandestinëve të kaluar nga Shqipëria drejt Italisë është zero'', u shpreh zëvendësministri Strazimiri, ''kjo do të jetë një konstante e palëkundur, njësoj si vullneti politik i qeverisë shqiptare për t'I dhenë  fund fenomenit siç edhe kemi premtuar në 2005'' përfundoi ai.


30/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›