E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton vendimin për procedurat e pajisjes së shtetasve pa pasaportë që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit, me letërnjoftimet elektronike

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për procedurat e pajisjes së shtetasve pa pasaportë, që nuk përfitojnë kompensim nga vendimi  nr. 366, datë  15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”.

Ky vendim plotëson kuadrin nënligjor që vendos rregulla lehtësuese dhe materializon konsensusin politik të nevojshëm për garantimin e procesit të pajisjes me letërnjoftim të shtetasve pa pasaportë.

Qëllimi i këtij vendimi është trajtimi me procedurë të lehtësuar të shtetasve pa pasaportë, pavarësisht se ata nuk përfitojnë nga skemat e kompensimit të përcaktuar me vendimin nr.366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë” të pajisen me kupon kundrejt një pagese paraprake prej 200 lekësh.

Ky vendim vendos këtë kategori të shtetasve pa pasaportë në kushte lehtësuese si ato të shtetasve që trajtohen me skemën e kompensimit, nëse aplikojnë para zgjedhjeve  të 28 qershorit 2009.

Kjo bëhet duke u dhënë atyre të drejtën e pajisjes me kupon, kundrejt një pagese paraprake prej 200 lekësh dhe duke u vënë detyrimin që diferencën prej 1 000 lekësh nga vlera e plotë e kuponit, ta paguajnë jo më vonë se 6 muaj nga data e aplikimit për letërnjoftim. Për shtetasit e kësaj kategorie, vendimi parashikon shërbimin e pajisjes me kupona nga Posta Shqiptare, sha.

Gjithashtu, ky vendim ndryshon procedurën e pajisjes me kupon, të përcaktuar në vendimin e mësipërm, të shtetasve, të cilët votojnë për herë të parë, por që nuk janë në marrëdhënie me institucionet arsimore publike. Kjo kategori, e cila sipas rregullave të mëparshme do të pajisej me kupon nga njësitë e qeverisjes vendore, me këtë vendim do të pajiset nga Posta Shqiptare, sha.

Më poshtë, vijon i plotë vendimi përkatës:

V E N D I M

 

PËR

 

PROCEDURAT E PAJISJES SË SHTETASVE PA PASAPORTË, QË NUK PËRFITOJNË KOMPENSIM NGA VENDIMI  NR. 366, DATË  15.4.2009, TË KËSHILLIT TË MIINSTRAVE,  “PËR KOMPENSIMIN E PAGESËS PËR PAJISJEN ME LETËRNJOFTIM TË SHTRESAVE NË NEVOJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

                                                                                V E N D O S I :

1.     Të gjithë shtetasit, që mbushin moshën 18 vjeç  deri më datën 28 qershor  2009 dhe që nuk kanë pasaportë, si dhe nuk përfshihen në skemën e kompensimit, të parashikuar në vendimin nr.366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”, mund të aplikojnë, duke paguar paraprakisht një tarifë prej 200 (dyqind) lekësh,  deri më 18 qershor 2009.

2.     Rregulli i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, zbatohet edhe për të gjithë shtetasit, që votojnë për herë të parë dhe që kanë lindur në periudhën 19.2.1989 – 28.6.1991, siç përcaktohet në nënndarjen iv, të shkronjës “b”, të pikës 1, të vendimit nr. 366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”, por që nuk ndjekin shkollat publike.    

 3.     Shtetasit e përcaktuar  në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, pajisen me kuponat në zyrat postare përkatëse të njësive të qeverisjes vendore pas pagimit të tarifës prej 200 (dyqind) lekësh. Në rast se njësia e qeverisjes vendore ka më shumë se një zyrë postare, pajisja bëhet në zyrën kryesore postare të njësisë, së cilës, nga Ministria e Brendshme, i vihet në dispozicion lista emërore  e shtetasve, që nuk kanë pasaportë.

4.     Kur shtetasi nuk është i përfshirë në listën e shtetasve pa pasaportë mund të pajiset nga zyra postare me kupon  vetëm nëse:

a)        paraqet një vërtetim nga Policia e Shtetit se nuk ka pasaportë, në përputhje me pikën 8/1, të vendimit nr. 1 datë 7.1.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen, për herë të parë, me letërnjoftim, të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese, për ata, që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve”, të ndryshuar;

b)       nënshkruan formularin e deklarimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, ku përfshihet edhe deklarata se nuk ka pasaportë, nuk ka përfituar kupon nga ndonjë skemë kompensimi, dhe se mban përgjegjësi penale, sipas nenit 144, të Kodit Penal.

Formulari i deklarimit ose vërtetimi i lëshuar nga Policia e Shtetit dorëzohen në zyrën e postës në çastin e dhënies së kuponit, të vulosur me vulën e postës. Ky kupon mund të përdoret për aplikim vetëm nga shtetasi përfitues, sipas këtij vendimi. Formularët e deklarimit, të nënshkruara, dhe vërtetimet e lëshuara nga Policia e Shtetit administrohen nga Ministria e Brendshme.

5.     Vlera e mbetur prej 1000 (një mijë) lekësh duhet të paguhet nga personat përfitues, sipas këtij vendimi, brenda 6 muajve nga data e aplikimit. Pagesa kryhet pranë zyrave postare, për llogari të buxhetit të shtetit. Në rast se personi nuk kryen pagesën për shumën e mbetur brenda periudhës 6-mujore, shpallet debitor dhe vjelja e detyrimit bëhet sipas procedurave përkatëse.

 

Personat, që përfitojnë sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, përjashtohen nga zbatimi i këtij detyrimi, nëse paraqesin dokumentet e aplikimit, sipas shkronjës “dh”, të pikës 4, të vendimit nr.366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”.

6.     Rregullat e hollësishme dhe mënyra e pagesës së kompensimit të  Postës Shqiptare, sha,  për çmimin e letërnjoftimit, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

7.     Zyrat e aplikimit të mos pranojnë aplikime në periudhën 18.6.2009 - 30.6.2009. Në këtë periudhë zyrat qëndrojnë të hapura vetëm për shpërndarjen e letërnjoftimeve.

8.     Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen brenda fondit të  përcaktuar në pikën 7, të vendimit nr.366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”.

9.     Shkronja “dh”, e pikës 4, të të vendimit nr.366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”.,  nuk zbatohet për kategorinë e shtetasve të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi.

  10. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Financave dhe Posta Shqiptare, sha, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA

 

 

 


01/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›