Çekia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Kryeministri çek dhe ai shqiptar shprehin angazhimin e dy vendeve respektive në rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimin ekonomik ndërmjet tyre. Shefi i qeverisë çeke nënvizon interesimin e vendit të tij janë investimet në energjetikë dhe miniera
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim homologun e tij çek, Petr Necas. Pas takimit tet a tet, dy kryeministrat Sali Berisha dhe Petr Necas dhanë një deklaratë për mediat lidhur me bisedimet e tyre që sipas Kryeministrit Berisha kishin të bënin kryesisht me anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe investimet çeke në Shqipëri, për të cilat shefi i qeverisë shqiptare, garantoi se do të ishin një model suksesi. Ndërsa për sa i takon mosmarrëveshjeve të fundit me kompaninë çeke CEZ kryeministri shqiptar garantoi homologun e tij se do të zgjidhë këto mosmarrëveshje në transparencë të plotë dhe të drejtë.
“Problematika lidhur me CEZ është trajtuar nga të dy palët gjerësisht gjatë kësaj periudhe dhe besoj se po shkohet drejt zgjidhjes së problemeve, dhënies përgjigje më të mirë të problemeve të krijuara”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Ndërkohë ai shprehu besim të plotë në kapacitet e mëdha investuese të ÇEZ si korporatë një nga më të mëdhatë në Europë, e cilësoi Berisha dhe në mbështetjen që qeveria çeke, institucionet financiare të këtij vendi i japin korporatës për të investuar.
Ndërsa kryeministri çek tha se interesi i Çekisë është që hyrja e CEZ të jetë model i suksesshëm dhe u siguruam për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
“Jam siguruar sot nga ane kryeministrit që edhe pala shqiptare ka interes që ky proces të dalë i suksesshëm. Kemi marrë parasysh që ky proces ka marrë shumë mosmarrëveshje dhe shpresojmë që ne t’i zgjidhim këto mosmarrëveshje. Besoj se zgjidhja e kësaj situate e problemit me CEZ do të jetë një sinjal i mirë edhe për Europën perëndimore, e cila mund ta shohë këtë si një sukses të madh, pasi CEZ është midis 5 kompanive të mëdha të Europës. Jemi angazhuar bashkë që do ta zgjidhim. Do të ketë një zhvillim pozitiv në këtë aspekt”, tha Necas.
Për sa i takon bisedimeve mes dy homologëve kryeministri Berisha tha se e kishte falënderuar homologun e tij çek për mbështetjen që ai jep integrimit të vendit tonë në familjen evropiane, por që sipas Berishës integrimi është një proces i bazuar tërësisht në meritë.
“Projekti më madhor i Shqipërisë është projekti i integrimit dhe ne e marrim këtë si proces të bazuar tërësisht në meritë”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu ai tha se ka diskutuar me homologun çek edhe mbi intensifikimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fushat, kryesisht për sa i takon investimeve çeke në vendin tonë, për të cilat kryeministri garantoi se do mbështesë biznesin çek për investime në energji, turizëm dhe mjedis.
“Nxitëm angazhimin e investimeve çeke në Shqipëri në energji, në mjedis dhe turizëm. Qeveria do mbështesë biznesin çek për të investuar në Shqipëri”,tha Berisha ndërsa siguroi se do të bëjë gjithçka që investimet çeke në Shqipëri të jenë të suksesshme.
Ndërkohë kryeministri çek Necas theksoi se Çekia mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë dhe zhvillimet e fundit pozitive në vend, ndërsa garantoi mbështetjen e vendit të tij në procesin e integrimit. Kryeministri çek tha se qeveria e tij është e interesuar për zhvillimin e investimeve në Shqipëri në shumë fusha dhe veçanërisht në energjetikë dhe miniera.
...