Topi, Dulla i Kushtetutës

Si një analfabet i vërtetë, kryetari i shtetit ka këmbëngulur dje si mushka, që të shkelë kushtetutën e të emërojë zv/kryetar të KLD-së një gjyqtar. Vetëm në kohën e Dullës, diktatori s’pyeste për ligjet dhe emëronte kë të donte në strukturat e “drejtësisë popullore”. Por sot, shqiptarët po jetojnë epokën e karikaturës, kur presidenti, “garanti i kushtetutës”, në dy muajt e vet të fundit, kujton se mund të luajë rolin “topi është i imi, s’më plas si janë vendimet e arbitrit”
“Presidenti Bamir Topi, grisi Kushtetutën”.
Deklarata e ministrit të Drejtësisë Eduart Halimi, dje pas gjysmëmbledhjes së KLD-së, në fakt ishte vetëm konkluzioni i asaj që ndodhi në mbledhjen e “ekzekutivit” të gjyqësorit. Sepse për pjesën tjetër u kujdes vetë kryetari i KLD-së Presidenti Bamir Topi që ta meritonte “grisësin e Kushtetutës”.
Dhe jo vetëm kaq, por Topi ç’nuk bëri që me qenë se “topi është i tij, ta gjuante vetë penalltinë”. Por “axhenda” e ngjeshur dje e Bamir Topit “shpëtoi” Kushtetutën duke ia zgjatur deri nesër të paktën, shpresën për të mos u katandisur në “fertele”.
Presidenti në ikje Bamir Topi, në pritje edhe për një “kurorëzim” edhe si një “ish” kryetar KLD-je, me sjelljen e tij inatçore ka tejkaluar edhe dy pararendësit e tij (Alfred Moisiun dhe Rexhep Meidanin) dhe duket, por të mos u katandisur si ata, që vetëm emrat ju mbahen mend, po shkon më tej duke tentuar të skalisë edhe “bëmën” e fundit të tij, “grisjen e Kushtetutës”.
Dje Presidenti në ikje Bamir Topi, në pritje edhe për një “kurorëzim” edhe si një “ish” kryetar KLD-je, me sjelljen e tij inatçore nuk pyeti as për Kushtetutën, por as për Gjykatën Kushtetuese. Biles, ai me bindje të plotë te vetja, mori edhe përsipër sjelljen jo aq prej analfabet ndaj Kushtetutës, se sa atë të Dullës (alias Enver Hoxha), i cili në kohën e vetë, nuk pyeste as për ligj e as për Kushtetutë, e as për institucione, qofshin apo jo kushtetuese.
Për Bamir Topin dje nuk kishte rëndësi, as Neni 143 i Kushtetutës, as Neni 147 i po të njëjtës Kushtetutë, por as Vendimi Nr. 14, datë 22. 05. 2006 i Gjykatës Kushtetuese. Për atë kishte rëndësi (me shpresën që nesër kjo rëndësi nuk do të jetë më prioritet i tij), që duke këmbëngulur pa argumente për të zëvendësuar Kreshnik Spahiun me Ilir Mustafajn, të mos pyeste as për Kushtetutën e Gjykatën Kushtetuese, por “për inat të së vjehrrës, të shkoje të flejë me mullixhinë”.
Por duke shpresuar e pretenduar se për aq kohë sa ndodhet në pragun e derës së Presidencës, kur është vetëm çështje kohe një marrje shkelmi nga pas, për tu gjendur më pas në “bulevardin e ngjarjeve të 21 janarit”, Bamir Topi njëherazi i njeh vetes edhe të drejtën që në fundin e mandatit të tij, kundër çfarëdo lloj morali, ti mbyllë derën e KLD-së mediave, por për më tepër të “firmosë” ende me votën e tij në KLD (jo tamam si ajo e 9 majit 2011 për Edi Ramën), bërjen “palë”, kur asnjë pale realisht nuk është se “ia ndjen shumë” për atë.
Kronika/ Shtyhet votimi për nënkryetarin e KLD-së
Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është shoqëruar dje me debate të ashpra mes kryetarit të KLD, njëherazi presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi. Topi propozoi për nënkryetar, pasuesin e Kreshnik Spahiut, gjyqtarin e Tiranës, Ilir Mustafaj, kandidaturë e cila u kontestua fuqishëm nga një pjesë e anëtarëve të KLD-së, të cilët paralajmëruan edhe interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, anëtarja e KLD, Lefteri Lleshi dhe Neshat Fana u shprehën kundër kandidaturës së Mustafajit, me argumentimin së ai është zgjedhur në 2010 nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore, në një mbledhje të zhvilluar pa një ligj të posaçëm. Pjesa tjetër e anëtarëve të KLD-së nuk e kanë mbështetur këtë argument, duke insistuar hedhjen në votim të kandidaturës së Mustafajit, por pa ia arritur dot.
Gjithashtu 3 anëtarët e KLD, kërkuan heqjen nga rendi i ditës të zgjedhje së nënkryetarit të KLD, deri në zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, proces i cili nis vetëm pas pak javësh. Propozimi i Halimit u hodh poshtë përmes votimit me rezultatin 8 me 7, ku vota e tetë ishte e Bamir Topit, pasi votat e përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës u ndanë në barazim.
Halimi kërkoi që të jetë presidenti i ri i vendit ai që do të zgjedhë numrin dy të KLD-së pasi momentalisht, sipas tij, ky institucion nuk ka kuorumin e duhur për këtë zgjedhje. Kundër kësaj kërkesë të mbështetur dhe nga gjyqtarët Lefteri Lleshi e Neshat Fana, dolën kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Becaj dhe gjyqtari Besnik Ymeraj. Sipas tyre, KLD ka të gjithë mundësitë ligjore për të pasur një nënkryetar.
Vendi i numrit dy të KLD-së mbeti vakant pas largimit të Kreshnik Spahiut. Ndërkohë më parë KLD pranoi pa debate dhe në mënyre unanime Elvis Cefen si anëtarin më te ri, pas verifikimit të mandatit.
...