Çeku kërkon zgjedhje të përgjithshme
Lideri i Partisë Socialdemokrate, Agim Çeku, kërkoi sot mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjatë këtij viti, pasi sipas tij, koalicioni qeverisës është lëkundur në themel dhe nuk është funksional.
“Performanca e Qeverisë nuk është në nivelin që i duhet, nuk është në nivelin e kërkesave të kohës, kërkesave të qytetarëve të Kosovës. Me një qeverisje të tillë Kosova vetëm po vendnumëron”, është shprehur ish-kryeministri Çeku, në një konferencë me gazetarë.
Duke folur pas takimit të Këshillit Drejtues të partisë, Çeku ka deklaruar se pavarësisht se në zgjedhjet lokale kanë pasur një fitore modeste, kësaj partie i janë vjedhur votat nga subjektet e tjera partiake. Këshilli ka vendosur që të mbahen zgjedhjet brenda partisë nëpër degë të saj.
PSD ka kritikuar edhe KQZ’në për ndërhyrje politike dhe ka kërkuar që sa më shpejt të përmbyllet procesi elektoral për komunën e Gjilanit. Socialdemokratët vlerësojnë se në zgjedhjet e fundit nuk janë përmbushur standardet ndërkombëtare.