Çeku në konferencën rajonale “SHBA- Karta e Adriatikut”

Ministri i FSK-së Agim Çeku, me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë, po merr pjesë në punimet e konferencës së ministrave të mbrojtjes së vendeve të rajonit “SHBA-Karta e Adriatikut”, e cila mbahet sot në Shkup.
“Sfidat dhe zgjidhjet e përbashkëta” është tema e Konferencës “SHBA-Karta e Adriatikut” organizator i së cilës është ministri i Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Fatmir Besimi.
Qëllimi i konferencës së ministrave të mbrojtjes së vendeve të rajonit, është nxitja e dialogut dhe shkëmbimeve. Pjesëmarrësit do të shqyrtojnë sfidat me të cilat përballet regjioni, e në veçanti shtetet e Ballkanit perëndimor me fokusim në zgjidhjet potenciale të përbashkëta.
Në Konferencë do të marrin pjesë ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare dhe vëzhguese të “SHBA-Karta e Adriatikut”, përfaqësues nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues nga selia e NATO-s në Bruksel, përfaqësues dhe ekspertë nga Qendra e Gjenevës për Politika të Sigurisë dhe diplomatë të tjerë të lartë.
“Karta e Adriatikut”, është themeluar si një mekanizëm që të promovojë dialogun rajonal, të avancojë bashkëpunimin e mbrojtjes dhe të forcojë kapacitetet nacionale drejt qëllimit të përbashkët, integrimit në NATO për gjitha shtetet e regjionit.