Çela: Koalicioni PS-LSI, jo me këtë lidership

Sekretari për mardhëniet me publikun në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ardit Çela ka deklaruar se koalicioni me PD-në është koalicion i suksesshëm.
Duke u ndaluar në zërat e fundit për një koalicion të mundshëm mes PS-së dhe LSI-së, Çela theksoi se këto janë zëra, që tentojnë të heqin vëmendjen nga zhvillimi kryesor i fundit, që është humbja e Edi Ramës nga bashkia e Tiranës.
“Mendoj që të mos i kushtojmë shumë rëndësi. Janë zëra që janë në qarkullim për konsum të brendshëm brenda PS-së. Ne nuk na shqetësojnë, jemi të vendosur t`i ofrojmë vendit stabilitet”, u shpreh Çela.
Sipas tij, me këtë lidership të PS-së, nuk do të ketë një ofertë për koalicion.
Duke u ndalur tek zhvillimet e brendshme të LSI-së, Çela deklaroi se muaji shtator do të jetë një fazë e re zgjedhore, gjë që do i shërbejë përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, LSI-ja është e kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale të 2011.
“Mund të kemi pasur edhe qarqe apo zona ku duhet të kishim dalë shumë më mirë, kjo do të jetë pjesë e brendshme e analizës së LSI-së”, nënvizoi sekretari për mardhëniet me publikun.