Çelet ekspozitë me gjetjet arkeologjike në Antigonenë antike
Në përfundim të kërkimeve të saj, ekspedita arkeologjike e cila punoi për dy javë rresht, në sitin e Antigonesë antike ka çelur një ekspozitë me gjetjet e realizuara në rrënojat e qytetit të lashtë. Ekipi i arkeologëve që morën pjesë në gërmimet më të fundit në këtë sit aplikoi kështu për herë të parë ekspozimin para publikut dashamirës ndaj arkeologjisë objektet e gjetura rishtazi gjatë një fushate gërmimesh arkeologjike. Eksponatet u vendosën pranë kuadrateve të rrënojave të zbuluara dhe dhjetëra vizitorë kishin mundësinë të shikonin nga afër të gjitha objektet dhe gjetjet arkeologjike të zbuluara nga ekspedita më e fundit arkeologjike “Antigone 2011”. Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik të Antigonesë, Ëngjëll Serjani, “kjo ekspozitë ishte një mundësi për të njohur rezultatet në përfundim të një misioni arkeologjik, për të parë e vizituar Parkun Arkeologjik të Antigonesë dhe për të mësuar më shumë nga historia e qytetërimit të lashtë të Antigonesë”.
“Ekipi i arkeologëve që u përfshinë në këtë fushatë të suksesshme kërkimesh, në bashkëpunim me stafin e Zyrës për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë paraqitën në eksponate të veçanta edhe pamje e fotografi nga puna për të zbuluar objektet sa të veçanta aq edhe unike, si gurët e blojës, monedhat e ndryshme, veglat e punës dhe gjetjet e tjera që përbëjnë një vlerë të shtuar të trashëgimisë sonë kulturore”, - thotë drejtuesi i ekspeditës, arkeologu Dhimitër Çondi. Gjetjet e realizuara në Antigonenë antike si objekte prej qeramike, guri, hekuri, bronzi etj., do t’i nënshtrohen studimit dhe restaurimit shkencor.
Bledar Shehu