Ali Asllani, poeti i dashurisë shpluhuroset nga harresa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” në një ceremoni të veçantë e solemne, një ndër diplomatët e funksionarët e parë të lartë të shtetit shqiptar, poetin Ali Asllani
“Për mua, edhe për të gjithë ne, është një ditë shumë e veçantë me vlerësimin e figurës së Ali Asllanit, megjithëse pas vdekjes, sepse ai gjithmonë kishte pritur për të marrë një vlerësim gjatë jetës, por edhe kjo për ne sot është një vlerë. Të vlerësosh një figurë, sot është një vlerë për gjithë kombin. Unë do të doja një falenderim të veçantë t’i bëja Shoqërisë Kulturore “Drita”, Klubit “Petro Marko” dhe të gjithë personaliteteve të artit, të artistëve, që menduan këtë lloj vlerësimi”, - do të shprehte kështu emocionet e tij Adrian Asllani, nipi i poetit Ali Asllani, teksa merrte dekoratën me Urdhrin “Nderi i Kombit” të të atit. Në ceremoninë e rastit të zhvilluar në ambientet e Presidencës, ku ishin të pranishëm familjarë, shkrimtarë, personalitete të artit dhe kulturës, Presidenti Topi u dorëzoi familjarëve të zotit Ali Asllani Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës me motivacionin: “Veprimtarit të shquar të Lëvizjes Kombëtare për krijimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, diplomatit patriot dhe poetit lirik që hyri në letërsinë shqipe si një ndër krijuesit e rrallë të poezisë”. Ishte shtëpia botuese K&B, që solli për herë të parë para lexuesve veprën e plotë të poetit, politikanit dhe diplomatit Ali Asllani, i cili për shkak të së kaluarës politike nuk iu lejua të botonte poezinë e tij. Ai ishte një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XX, i cili thuajse u la në harresë. Poezitë e tij në atë periudhë botoheshin të censuruara në botime të vogla, duke humbur nga sytë e lexuesve. Poeti pak i njohur për lexuesin shqiptar u anatemua, u censurua dhe u izolua në kohën e regjimit komunist. Dhe i vetmi faj i tij ishte e kaluara e tij politike. Ai kishte qenë nënprefekt i Delvinës në vitin 1908, anëtar i klubit “Bashkimi”, një nga mbështetësit kryesorë të Ismail Qemalit, për të cilën dhe u persekutua nga turqit, madje e internuan në Halep të Sirisë. Mori pjesë në kuvendin e Dibrës si përfaqësues i Klubit “Bashkimi”. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali i besoi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë së tij, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Ka qenë kryetar i Bashkisë së Vlorës (vendlindja e tij) në vitin 1920 dhe më pas këshilltar i qeverisë dhe sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë. Në vitet 1930 - 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934-ën, përsëri ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë. E pra, kjo e kaluar e tij ia mbylli dyert e shtëpive botuese pas çlirimit. Në vitin 1944 u shpërndanë disa vëllime të vogla me poezitë e tij. Vite më parë janë botuar poezi dhe pjesë të përzgjedhura nga krijimtaria e tij dhe, 45 vjet pas ndarjes nga jeta të poetit Ali Asllani, nipi Adrian Asllani mendoi të sillte poezinë e gjyshit më pranë lexuesit shqiptar. Krijimtaria e Ali Asllanit është shumë e gjerë dhe sipas familjarëve ai ka lënë shumë dorëshkrime. Siç është shprehur në një intervistë për “Mapo”-n nipi i tij, në shtëpinë e vet ndodhen dorëshkrime nga “Epopeja e Qerbelasë” një krijim i lirë i Ali Asllanit, që në fakt ka një ndikim religjioz dhe së shpejti do të botohet e plotë edhe kjo poemë e tij. I sjellë për herë të parë në një vëllim të plotë në qershor të këtij viti nga Ardian Klosi lexuesi zbulon tek Ali Asllani një poet të plotësuar në çdo pikëpamje, që nga poezitë atdhetare e shoqërore, te tablotë satirike gjithë ngjyra e deri të poezitë liriko-erotike.
Krijimtaria e poetit Ali Asllani
Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën "Hanko - halla" në 1942. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij. Ndër librat e botuar në vitet 1960 –‘66 përmendim: "Vidi – vidi pëllumbeshë" (1960), "Shqipëria kryesorja" (1961), "Vajzat dhe dallëndyshet" (1964), "Kur merr zjarr rrufeja" (1966) dhe pas vdekjes iu botua në 1973 "Poezia shqipe". Është autori i këngës së njohur "Vlora, Vlora". Pas viteve ‘90 iu botuan disa libra si "Poezi të zgjedhura" në 1996, dhe "Vidi, vidi pëllumbeshë" në 1999. Së fundmi shtëpia botuese K&B botoi veprën e plotë poetike të Ali Asllanit.
Aida Tuci