E Diel, 1 Nëntor 2026

Autobiografia e Bekim Fehmiut, më i shituri nga botimet kosovare

Panairi i Librit “Tirana 2011” këtë vit një ndër risitë e tij kishte dhe pjesëmarrjen si asnjëherë tjetër të botimeve që vinin nga Kosova. Nga 90 shtëpi botuese që morën pjesë në këtë panair, 14 prej tyre vinin nga Kosova të organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Mes rekordeve të shitjeve në këtë panair, që nga “Enver Hoxha” e Blendi Fevziut, “Shqipëria” e Ben Blushit, pasuar dhe nga “Kurbani” i Edi Ramës, në stendat e botimeve që vinin nga Kosova ndër librat më të shitur ka rezultuar biografia e aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiu. Njëra nga stendat më të frekuentuara në Panairin e Librit “Tirana 2011” ishte pikërisht ajo e Botimeve Koha, ku një ndër botimet kryesore në stendë ishte dhe biografia e Bekim Fehmiut. Fidan Imeri, përfaqësuesi i Botimeve Koha, thotë se libri më i shitur në Panairin e Librit në Tiranë sa u përket botimeve kosovare ka qenë rrëfimi autobiografik i aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiu, me titull “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”. “Në ditën e fundit të Panairit të Librit në Tiranë nuk ka mbetur asnjë libër i Fehmiut”, - tha ai. “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, ka dalë në treg në fund të muajit qershor nga shtëpia botuese prishtinase “Koha” dhe është libri i parë i botuar i Bekim Fehmiut. Në libër është rrëfyer historia fantastike e fëmijës, të riut dhe burrit Bekim Fehmiu. Ky libër, në qershor të këtij viti, në Panairin e Librit në Prishtinë ishte libri më i shitur. Ndërkohë që pas kësaj edhe vetë përfaqësuesit e Botimeve Koha, që para hapjes së Panairit të Librit në Tiranë e kishin parashikuar se romani autobiografik i aktorit pritej të ishte ndër më të shiturit nga botimet kosovare. Këtë e ka konfirmuar edhe Besian Zenelaj, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, i cili ka qenë i pranishëm në Panairin e Librit “Tirana 2011”. “Libri i Bekim Fehmiut ka qenë më i kërkuari në Panairin e Tiranës”. Përveç librit të aktorit Bekim Fehmiu, i cili u nda nga jeta qershorin e vitit të kaluar, në shtëpinë e tij në Beograd, në stendën e botimeve nga Kosova ndër librat më të shitur ka qenë edhe ai i Enver Robellit në bashkëbisedim me Arbën Xhaferin, “Në Tetovë në kërkim të kuptimit”, një libër që në Tiranë u promovua pak kohë më parë në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. “Fadil Hoxha në vetën e parë” dhe “Udhëtimi sufist i Baba Rexhebit” nga Frances Trix, janë po ashtu në listën e librave më të shitur në stendat e shtëpive botuese nga Kosova. Nënkryetari i Shoqatës së Botuesve nga Kosova, Zenelaj u shpreh se në përgjithësi shtëpitë botuese të ardhura nga Kosova kanë mbetur të kënaqura me shitjen e librave në Panairin e Tiranës. Mes veprave të kërkuara, ai ka veçuar edhe ato të Ridvan Dibrës, Petrit Imamit, Ramiz Kelmendit dhe Jakup Krasniqit, si më të shiturat në stendën e ShBK-së. “Librat e kritikës së letërsisë kanë qenë të kërkuar, sepse në Tiranë mungojnë kësi lloj librash”, - ka shtuar ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›