Alban Tafaj beson deri në fund: Nuk kam hequr dorë nga titulli
"Nuk kam hequr dorë nga titulli. Për aq kohë sa matematika ma lejon, mund të them se Tirana do të vazhdojë luftën për t‘u shpallur kampione". Këto janë fjalët e Alban Tafajt, trajnerit të kampionëve në fuqi, i cili e ka të vështirë ta mendojë faktin se bardheblutë janë dorëzuar kur ndodhemi vetëm në gjysmën e edicionit në Kategorinë Superiore. Edhe pse shanset për të marrë trofeun më prestigjioz në vend janë minimale, tekniku synon të mbajë nën tension të tijtë, në një moment kur skuadra udhëton drejt Krujës, për t‘u ndeshur me Kastriotin. Kjo është një sfidë e rëndësishme, në tentativat për të ngushtuar diferencën me Dinamon kryesuese. Ndeshja e sotme shihet edhe si një mundësi për t‘u hakmarrë për krizën që skuadra e drejtuar nga Ramazan Ndreu i shkaktoi kampionëve në fuqi në javën e gjashtë: barazimi 1-1 në Tiranë u shoqërua me largimin e trajnerit Ilija Lonçareviç. Megjithatë, prej fillimit të tetorit shumë gjëra kanë ndryshuar. Tafaj i ka dhënë stabilitet ekipit, ndërsa tashmë Tirana lufton për vendin e dytë në klasifikim, pa hezituar të shohë edhe drejt kreut. "Shpresojmë të fitojmë në këtë ndeshje", deklaroi drejtuesi i stolit kryeqytetas. "E kemi të qartë se ndodhemi përpara një transferte të vështirë, por kërkojmë tri pikët. Skuadra është e motivuar për të marrë rezultat në Krujë. Më duhet të theksoj se këtë herë kontingjenti është më i kompletuar sesa në ndeshjen e fundit, ku fituam me Apoloninë". Kundër Kastriotit do të mungojnë vetëm Lila dhe Abraham, të dy të dëmtuar, vendet e të cilëve do të zihen nga Sina dhe Ahmataj. Ndërkohë, kthehen pas pezullimeve portieri Nallbani, mbrojtësi Bicaj dhe mesfushori Sefa.
Optimizmi pas triumfit me fierakët, që ishin një rival direkt në zonën e kreut është i ligjshëm. Por, Tafaj mendon ndryshe: "Faktin që u konfirmuam në vendin e tretë e shoh thjesht si një premtim të mbajtur. Këtë e kishim deklaruar që prej momentit kur filluam punën te Tirana. Tashmë, do të bëjmë përpjekjet maksimale që t‘i rrëmbejmë vendin e dytë Besës. Më pas do të fillojmë të shohim nga Dinamo e vendit të parë". Me afrimin e merkatos së janarit priten edhe disa përforcime, ndërsa ish-mbrojtësi bardheblu, Toni Pezo shihet si një alternativë. "Pezo është i mirëseardhur në skuadër. Kroati i tregoi vlerat e tij gjatë sezonit të kaluar, kur ndihmoi Tiranën të fitonte titullin. Gjithsesi, nuk mendoj se kemi nevojë për shumë ndërhyrje në merkato, pasi skuadra është e plotë. Na duhen vetëm mbulime nëpër reparte, pasi deri më tani kemi vuajtur nga dëmtimet dhe skualifikimet", përfundoi Tafaj.
e. kodheli