"Mavraj ka kualitetin për të luajtur në Kombëtare"
Më në fund, duket se Josip Kuzhe e ka gjetur një zgjidhe të kënaqshme për repartin e mbrojtjes, aty ku kuqezinjtë kanë çaluar në ndeshjen e fundit. Trajneri kroat ka vendosur që të afrojë në përfaqësuese mbrojtësin kosovar, Mërgim Mavraj, i cili aktivizohet te Bokumi në Bundesligën 1 gjermane. Këtë vendim tekniku e ka marrë në fundjavë, pas ndeshjes Hanover-Bokum, ku e kishte vëzhguar nga afër shtatlartin. Madje Kuzhe ka kërkuar nga FSHF që t‘i kryejë të gjitha proceduarat teknike, për angazhimin e 23-vjeçarit në ekipin kuqezi. "Mavrajn e kam vëzhguar në dy ndeshje, ndërsa pas 90 minutave të takimit Hanover-Bokum, jam bindur që ai i ka të gjitha kualitetet të luajë në Kombëtare. Prandaj kam kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të FSHF-së", u shpreh dje Kuzhe. Në përfundim të ndeshjes Hanover-Bokum (2-3), trajneri kroat është takuar kokë më kokë me kosovarin me pasaportë gjermane dhe ka biseduar rreth përfshirjes së tij në Kombëtare. Kuzhe është ndarë tejet i kënaqur nga takimi, pasi Mavraj i ka shprehur gatishmërinë që t‘i veshë fanellën e Shqipërisë. "Pas ndeshjes kam biseduar personalisht me Mërgim Mavrajn. Ai është shprehur i gatshëm të luajë për Shqipërinë, gjë që më ka gëzuar pa masë", ka përfunduar Kuzhe.
A. M