Kryeministri Berisha inauguron rrugën Ilias-Manastiri i Shën Theodhorit dhe rrugën hyrëse në Palasë
- Jemi në agun e një shpërthimi të fuqishëm turistik, e shndërrimit të Shqipërisë në një nga drejtimet turistike më të rëndësishme në Europë
- Vizioni ynë është kombi sytë drejt detit. Shekuj e shekuj i kemi mbajtur drejt maleve dhe, e vërteta është se kemi siguruar ekzistencën dhe mbijetesën, por nuk kemi siguruar dot prosperitetin dhe zhvillimin, që na kanë munguar. Ndaj, tani do të kthehemi drejt një pasurie të pafundme, siç është deti. E tërë infrastruktura jonë do të ketë dy qëllime themelore: tregun dhe detin.
- Mbrojtja e bregut nga betoni duhet të jetë një nga qëllimet më kryesore, sepse ne duhet të ndërtojmë një turizëm ndryshe.
Gjatë vizitës dje në disa fshatra të Bregut të Jonit, Kryeministri Berisha u ndal në fshatin Ilias, ku inauguroi rrugën e re për në Manastirin e Shën Theodhorit dhe plazhin e Gjipesë. Rruga e re, me gjatësi rreth 3 kilometra, përmirëson ndjeshëm lëvizjen jo vetëm të banorëve të fshatit Ilias, por, njëkohësisht, edhe të flukseve turistike drejt plazhit të Gjipesë dhe në një nga pikat më të bukura të bregdetit të Jonit, në Manastirin e Shën Theodhorit. Rruga është ndërtuar me të gjitha elementet e infrastrukturës moderne, me trotuare dhe ndriçim, me vlerë investimi prej rreth 29.4 milion lekë.
Pasi vizitoi Manastirin e Shën Theodhorit, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë jo vetëm turistike të kësaj rruge, por edhe për rigjallërimin e Manastirit e Shën Theodhorit, si një vend i shërbesave të rëndësishme fetare, por edhe si një vend turistik për zonën dhe turizmin shqiptar në tërësi.
“Manastiri i Shën Theodhorit, - u shpreh Kryeministri - është një nga trashëgimitë më të çmuara kulturore të Bregut dhe vendit në tërësi, i shekullit të 16-të. Kjo zonë është jashtëzakonisht e rëndësishme në hartën fetare dhe turistike të Bregut, ndaj ne kemi ndërtuar rrugën me ndriçim që të sjell tek Manastiri. Kisha ka treguar interesin, por burokracia akoma nuk i ka dhënë përfundimisht pronësinë dhe kjo është një gjë që duhet të marrë fund me shpejtësi. Manastiri vendoset në një kodër me një peizazh mahnitës deti dhe mali, i rrallë për t’u gjetur, me një bimësi mesdhetare të fuqishme.”
Kryeministri tha se pas ndërtimit të veprës më panoramike në vend, rrugës së Bregut, përpjekjet janë përqendruar në ndërtimin e infrastrukturës së brendshme të kësaj zone, nga Orikumi në Ksamil, ku janë në ndërtim me dhjetëra rrugë, ujësjellës dhe sisteme të kanalizimeve. Infrastruktura e re, tha Kryeministri, do të synojë dy qëllime: tregun dhe detin.
“Brenda vitit 2010, ne do të përfundojnë të gjitha rrugët që të çojnë drejt detit. Vizioni ynë është kombi sytë drejt detit. Shekuj e shekuj i kemi mbajtur drejt maleve dhe, e vërteta është se kemi siguruar ekzistencën dhe mbijetesën, por nuk kemi siguruar dot prosperitetin dhe zhvillimin, që na kanë munguar. Ndaj, tani do të kthehemi drejt një pasurie të pafundme, siç është deti. E tërë infrastruktura jonë do të ketë dy qëllime themelore: tregun dhe detin. Në këtë kontekst, të parat janë rrugët e fshatrave që zbresin në det, fillimisht të fshatrave që janë të bregdetit, më pas të fshatrave më tutje, p.sh. ka përfunduar projekti i rrugës Kuç-Fterë-Borsh dhe, në këtë mënyrë, në të gjithë zonën me radhë. Shoh me bindje të madhe se në dy vitet e ardhshme e tërë zona e bregut deri në Ksamil do të ketë një infrastrukturë moderne europiane,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha kërkoi nga autoritetet vendore që krahas infrastrukturës rrugore, vitin e ardhshëm të hartojnë projekte për sistemet e vaditjes.
“Me grantet e qeverisë vendore, natyrisht jo për Myzeqenë, sepse për fushën janë shuma të mëdha, por për zonat e tjera do të dërgojmë edhe grantet për ndërtimin e sistemit të vaditjes. Sikundër këshillojmë që të jetë sistemi më modern që ata ta gjykojnë. Vendosja nën ujë e tokave në këtë zonë dhe kudo mbetet një përparësi madhore e politikës së qeverisë sime,” u shpreh Kryeministri.
Duke u ndalur në potencialet e mëdha turistike të bregdetit të Jonit, Kryeministri shprehu kënaqësinë që këtë vit, Saranda është vlerësuar si një nga destinacionet turistike më të bukura e të rëndësishme në botë. Kryeministri inkurajoi të gjithë operatorët turistikë t’u ofrojnë pushuesve shërbime cilësore dhe me çmime të leverdishme.
“Ky është një zhvillim i madh jo vetëm për Sarandën, por për të gjithë Bregun e të gjithë Shqipërinë, sepse, gradualisht, do të zbulojë se nuk është vetëm Butrinti, por edhe Finiqi, Lukova, Himara, Dhërmiu, Palasa e me radhë. Vërtet, jemi në agun e një shpërthimi të fuqishëm turistik, e shndërrimit të Shqipërisë në një nga drejtimet turistike më të rëndësishme në Europë. U gëzova pa masë kur lexova në Eurostat se në hotelet dhe restorantet shqiptare çmimet janë të leverdishme. Ndaj, unë i ftoj të gjithë pronarët e restoranteve, hoteleve dhe shtëpive të kenë çmime të arsyeshme dhe të mos harrojnë se e vërteta është se krahas peizazhit dhe ushqimit, pothuajse 95 përqind e turistëve pëlqejnë çmimet e lira. Ndaj le t’u ofrojmë mikpritjen tonë, çmimet e arsyeshme dhe, në këtë mënyrë, fitojmë shumë më tepër,” tha Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha informoi se qeveria do të financojë projektet e zhvillimit urbanistik të Ksamilit, Sarandës, Lukovës, Himarës dhe Orikumit. Për këtë, theksoi Kryeministri, ekziston edhe masterplani i hartuar nga kompania britanike, i cili përcakton kriteret më të drejta të përdorimit të këtij terreni dhe parimet mbi të cilat duhet të bazohen planet urbanistike.
“Mbrojtja e bregut nga betoni, - tha Kryeministri - duhet të jetë një nga qëllimet më kryesore, sepse ne duhet të ndërtojmë një turizëm ndryshe. Ne vërtet jemi të vonuar, por kemi shansin më të madh të ndërtojmë një turizëm krejtësisht tjetër nga turizmi i betonit dhe betonimeve. Nëse shkoni në Himarë do të shihni të gjitha banesat, por, përveç tyre, edhe dy pallate pa leje, të cilat e lëndojnë Himarën deri në palcë. Ato, si pa leje që janë, do të kenë fatin e ndërtimeve pa leje, por nuk besoj se do të përsëriten më.”
Kryeministri Berisha u ndal edhe në reformën e pronësisë, duke e konsideruar atë si kryereformën e katër viteve të ardhshme. “Ne jemi të vendosur t’i japim zgjidhjen më të mirë këtij problemi. Kam besim se është bërë një punë shumë e madhe, ndaj edhe ritmet do të jenë më të shpejta.”
Gjatë vizitës në zonën e Bregut, Kryeministri Berisha inauguroi edhe rrugën hyrëse në fshatin Palasë, një investim me vlerë 24 milion lekë. Rruga e re ndihmon në zhvillimin e turizmit të zonës, duke lehtësuar lidhjen me Palasën dhe lëvizjen e banorëve të saj dhe vizitorëve.
Në përfundim të takimeve me banorë dhe të disa inaugurimeve të rëndësishme në zonën e Bregut, kryetari i bashkisë së Himarës Vasil Bollano, duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për këtë vizitë, i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e angazhimet e qeverisë nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, në lidhje me zhvillimin e turizmit bashkëkohor dhe kulturor.
04/08/2009