E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja Ruby, shumica largon procesin nga Milano

Çështja Ruby e Silvio Berluskonit ka trazuar jo vetëm Parlamentin italian, por të gjithë popullin. Ndërsa Dhoma Përfaqësuese votonte mbi kërkesën e re të partisë më të madhe, PDL-së për procesin e shkurtër, në shesh kishin dalë mijëra njerëz që kundërshtonin evitimin e gjykimit të Kryeministrit në Gjykatën e Milanos. Dhoma Përfaqësuese aprovoi me 314 vota pro dhe 302 kundër, kërkesën e avancuar të PDL-së për të ngritur përpara Konsultës një konflikt atribuimi mes fuqive të Shtetit. Objektivi është transferimi i procesit që ka si të akuzuar Silvio Berluskonin në Gjykatën e Ministrave, duke e larguar nga autoriteti i gjyqësorit në Milano, meqë një nga krimet për të cilat akuzohet Kryeministri, abuzimi me postin (për të nxjerrë Ruby-n nga burgu), është i natyrës ministrore (tjetri është prostitucioni me minorene). Tani i takon presidencës së Dhomës të zgjedhë organin ligjor që duhet të drejtojë kërkesën për në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të diferencës së vogël të votave. Por mbi vijueshmërinë e procesit, sipas Corriere della sera, avokati i Kryeministrit, Nikolo Gedini, është skeptik. Sipas tij, në fund gjykatësit e Milanos do të bëjnë si të duan. Kundër kësaj procedure dje, është organizuar një protestë. Sheshi Montecitorio ishte i blinduar, me manifestuesit rreth 50 metra larg hyrjes kryesore në pallatin e Parlamentit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›