E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja çame, sherr dhe kërcënime në Kuvend

Dule dhe Tahiri zihen për viktimat çame. Dashamir Tahiri: Nuk je gjë tjetër veçse këlysh i Zervës. Do të ta tregoj unë se si mbahet zia. Dule: Qëndrimi im, pjesë e bindjeve të mia


TIRANË - Seanca e djeshme e Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me debate, të cilat kanë shkuar deri në kërcënime midis deputetit të PDU-së, Dashamir Tahiri dhe deputetit të PBDNJ-së, Vangjel Dule.


Shkak për nisjen e debatit ka qenë veprimi i Vangjel Dules, i cili nuk pranoi të ngrihej në këmbë për të mbajtur një minutë zi në kujtim të viktimave të popullsisë çame, pas thirrjes së deputetit çam, Shpëtim Idrizi.


"Ne kërkojmë që pala greke të kërkojë falje këtij komuniteti, t'i kthejë pronat që i takojnë. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të viktimave të pafajshme", u shpreh deputeti Idrizi. Në këtë moment, të gjithë deputetët pjesëmarrës në Kuvend u ngritën për të mbajtur një minutë heshtje.


I vetmi që nuk i është përgjigjur apelit ka qenë kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ky veprim i Dules solli reagimin e deputetit Dashamir Tahiri. "Më bëri përshtypje zoti Dule që nuk respektoi heshtjen: Po të them nga kjo foltore që nuk je gjë tjetër veçse këlysh i Zervës, që je në parlamentin shqiptar. Unë do të ta mësoj se si mbahet zia", deklaroi deputeti i PDU-së nga foltorja e Kuvendit.


Deputeti Vangjel Dule kërkoi nga nënkryetari i seancës, Nasip Naço, marrjen e masave për kërcënimet që u bënë në drejtim të tij. "Ja ku po e them se kur ngrihem unë e për çfarë ngrihem e flas në podium, është çështje individuale, se kjo që bërë ti sot është kërcënim i hapur ndaj meje. Qëndrimi i im është pjesë e zgjedhjes dhe bindjeve të mia dhe këtë nuk mund ta diskutoj me askënd", - u shpreh kreu i PBDNJ-së.


Deputeti Tahiri i kërkoi drejtuesit të seancës të drejtën e replikës, por një gjë e tillë nuk i është dhënë nga nënkryetari i kuvendit, Nasip Naço, i cili u detyrua të pezullojë për disa minuta seancën, deri në qetësimin e plotë të situatës mes dy palëve. Por përplasjet mes dy deputetëve Tahiri - Dule nuk mbetën me kaq.


Të dy deputetët replikuan në distancë me njëri - tjetrin deri në rifillimin e seancës pesë minuta më vonë. Gjatë fjalës së tyre në Kuvend, deputetët çamë i bënë thirrje shtetit shqiptar që të bashkëpunojë për të drejtat e çamëve dhe për hetimin e masakrës së çamëve.


Partia për Drejtësi dhe Unitet është e angazhuar që, brenda kuadrit ligjor europian dhe ndërkombëtar, të realizojë drejtësinë për popullsinë martire çame. "Partia për Drejtësi dhe Unitet është e angazhuar që, brenda kuadrit ligjor europian dhe ndërkombëtar, të realizojë drejtësinë për popullsinë martire çame", u shpreh deputeti Idrizi.


Dule akuzon Topallin për diferencime


Kreu i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut akuzoi drejtuesit e Kuvendit për trajtim të pabarabartë. Sipas zotit Dule, nëse në sallën e Kuvendit do të kërcënoheshin deputetët e Partisë Demokratike, atëherë do të merreshin masa ndëshkuese për shkelësit.


"Kur bëhen kërcënime të tilla këtu menjëherë mblidhen truprojat, nuk e di pse zonja Topalli nuk reagon kur nga podiumi bëhen kërcënime reale", - tha kreu i PBDNJ-së. Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që gjatë seancës parlamentare deputetët fyhen ose kërcënohen.


Në bazë të nenit 65 të rregullores së Kuvendit, kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave ose përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës apo institucione të tjera shtetërore ndalohet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione nga 2 deri në 15 ditë.


Ndalimi i pjesëmarrjes vendoset nga Byroja e Kuvendit me propozimin e drejtuesit të seancës ose propozimit me shkrim të jo më pak se 7 deputetëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›