E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çështja e kundërfletëve, Rama do të ishte 400 vota minus”

31/05/2011  Kryeministri Berisha sqaron çështjen e numërimit në grupin parlamentar të PD-së

“Gramoz Ruçi kishte 144 orë kohë për të bërë denoncimin, por preferoi heshtjen”

Kryeministri Sali berisha tha dje në mbledhjen e grupit parlamentar se, në rast se PD-ja do të kishte kërkuar pavlefshmërinë e fletëve të votimit të gjetura me kundërfletë, atëherë Edi Rama tani do të ishte rreth 300 apo 400 vota minus në krahasim me kandidatin Lulzim Basha. Sipas kryeministrit, maxhoranca i qëndroi fort parimit të numërimit të çdo vote dhe pavarësisht gabimit administrativ, në këto vota ishte shprehur qartë vullneti i zgjedhësit. “Po të kemi parasysh një element, në rastin e Tiranës, në qoftë se ne do të merreshim edhe me këto vota, kandidati tjetër i Tiranës nuk do të ishte minus 81 vota, por do ishte me minus 300-400 vota. Po ku ishte morali këtu? Në të gjitha këto vota dua t’ju garantoj se qytetarët e Tiranës kishin shprehur qartë vullnetin tyre se për cilin kishin votuar. Pra, nuk kishin të bënin më me kundërshtarin, por kishin të bënin me qëllimin e shprehur qartë nga qytetari i Tiranës për preferencën e tij”,- tha kryeministri. Sipas tij, ky vendim u mor në respekt të mbi 1000 qytetarëve që kishin votuar në këto dy qendra votimi

Pretendimet

Ndërkohë kryeministri nuk la pa përmendur të fjalën e tij dhe pretendimet e socialistëve për numrin e fletëve të votimit të gjetura në kuti, që sipas tyre në disa raste ishte më i madh se numri i zgjedhësve. Kryeministri tha se PS-ja ka pasur 144 orë afat për të bërë animimin përkatës, por çuditërisht kjo hapësirë nuk u shfrytëzua nga ana e kundërshtarëve të tij politikë. “Por çfarë ndodhi këto dy ditë? Ju e patë vetë se zoti Rama, i cili kishte 144 orë afat për të paraqitur, në qoftë se donte 155 ankesa. Por ai dorëzoi vetëm 2 ankesa dhe ato natyrisht i ka me ato vota që ai i quan klandestine (që po të kishte skafe do të shkonte t’i hidhte në mes të detit, por nuk ka, se kemi bërë moratoriumin) dhe jo me votat e qytetarëve që i ka qeverisur 11 vjet, të hedhura të pastra si kristal, të qarta si rrezja e diellit, të të gjitha kategorive, përfshi dhe nivelet më të larta. Pra, pasi paditi këto vota, nuk bëri asnjë padi tjetër. Pardje ai nxori avokatin e tij të ri, Gramoz Ruçin, i cili tha se ka mospërputhje në tabela etj., etj. Por kush të pengoi ty, o zotëri që në 144 orë ti mund të kishe paditur të paktën 2000 kuti votimi dhe tabelat e tyre? Nuk e bëre, por e bëre pasi u mbyllën të gjitha afatet ankimore”, - tha Berisha. Sipas kryeministrit, këto ditë shqiptarët duhet të përgatiten për të tjera akuza ndaj kryetarit të PS-së, por që tanimë do të vijnë nga ana e komisionerëve që u kujdesën për votimin në Tiranë “Sidoqoftë, ata këtë gjë e kanë betejë të brendshme me komisionerët e vet, sepse tani e tutje shqiptarët duhet të jenë të përgatitur të dëgjojnë akuza nga më të ndryshme për komisonerët socialistë se si ata i bënë gjëmën kryetarit të tyre, duke qenë njerëz që kanë punuar me korrektesën më të madhe”,- përfundoi kryeministri

Rritje e rrogave dhe pensioneve

Kryeministri lajmëroi dje tjetër rritje rrogash dhe pensionesh. “Kam kënaqësinë t’ju pohoj juve, t’ju njoftoj juve dhe mbarë shqiptarët se qeveria po përgatit në përputhje me programin e saj paketën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë shtylla më kryesore e qeverisjes së kësaj mazhorance që nga ardhja e saj në pushtet në vitin 2005 dhe do të vazhdojë të mbetet drejtim themelorë i punës së saj për sa kohë shqiptarët ta votojnë.”

Fitore që nga 2005

“Kjo është e vërtet: më 2005, më 2007, më 2009 dhe tani fitorja plebishitare e vitit 2011, fitore e cila është e tëra vlerësim i madh për reformat që kemi bërë, për premtimet që kemi mbajtur, për vizionin që kemi paraqitur, ndaj dhe nuk mund të ketë asnjë devijim nga kjo platformë, që është platforma e besimit më të madh të shqiptarëve. Shpeshherë, edhe në fushata të tjera, unë kisha bërë fjalë se po i rikthehemi 92-shit, por 92-shi u kthye në vitin 2011.”

Fletët e votimit

“Për ta qartësuar, në procesin e numërimit ka tri produkte: vota të vlefshme janë ato që kanë marrë votën e të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve; vota të pavlefshme janë vetëm ato për të cilat janë votuar si të tilla nga të gjithë komisionerët e vëzhguesit; dhe kategoria e tretë janë votat e kundërshtuara, të cilat kanë fituar të drejtën e qytetarisë për t’u rishqyrtuar, për t’u vlerësuar dhe rilexuar në të gjitha instancat e shqyrtimit të ankesave të sistemit.”

Porosi deputetëve

Kryeministri u ka lënë porsi deputetëve: “Qëndrimin tonë do ta shpjegoni kudo. Ne kemi vendosur që çdo votë e kontestuar të rivlerësohet ashtu siç thotë ligji shqiptar, dhe kjo është absolutisht e domosdoshme për funksionimin e këtij sistemi. Cilido që të jetë rezultati që del nga rivlerësimi i tyre, është i mirëpritur. Asnjë ide nuk kemi. Ne jemi themeluesit e partisë së votës së lirë dhe duhet të qëndrojmë pas çdo vote.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›