E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika nga bakteri Esherika Koli, këshillat për tu mbrojtur

31/05/2011   Institucionet tona shëndetësore vihen në gjendje gatishmërie

Bakteri i shfaqur tek perimet e veçanërisht tek trangulli sulmon sistemin nervor, veshkat, shkakton anemi etj

Edhe pse zyrtarisht në vendin tonë nuk ka asnjë të prekur nga bakteri Esherika Koli, institucionet shëndetësore janë udhëzuar për të ngritur gjenden e gatishmërisë. Ekspertët e shëndetësisë kanë lajmëruar gjatë ditës së djeshme vënien në gatishmëri të repartit të sëmundjeve infektive, pediatrisë, shërbimeve të terapisë intensive (reanimacionit) dhe urgjencës për trajtimin e çdo rasti që dyshohet se mund të jetë prekur nga ky bakter. Po ashtu është apeluar për rritjen e shkallës së kujdesit, veçanërisht të higjienës që duhet treguar ndaj konsumit të produkteve ushqimore nga popullata. Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë Petrit Vasili ka pohuar gjatë ditës së djeshme se Shqipëria deri tani nuk ka asnjë rast të evidentuar apo të dyshuar me këtë sindromë. Por pavarësisht kësaj u është lënë porosi e veçantë gjithë sistemit për evidentimin dhe mosneglizhimin e çdo shenje që ka lidhje me këtë sindromë. Ndërkohë ministri u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht pjesës së biznesit dhe turistëve që kanë udhëtuar në vendet e prekura, për rritjen e vëmendjes dhe një respektim rigoroz të masave higjienosanitare. Konkretisht lidhur me simptomat që mund të shkaktojë prania e këtij bakteri mjekët pohojnë se shfaqja e tyre mund të bëhet e dukshme pas 8 apo 10 ditësh nga koha e prekjes. Këta pacientë manifestojnë simptoma të tilla si: heqje barku, shpeshherë me njolla gjaku, të vjella, insuficiencë renale (pamundësi e funksionimit të veshkave), anemi, e komplikacine të tjera shëndetësore. Kundrejt këtyre simptomave është e nevojshme që pacientët të të paraqiten menjëherë te mjeku specialist për të marrë trajtimin përkatës. Një ndër masat më të mira parandaluese këshillohet të jetë mbajtja e një higjiene sa më të rreptë. Transmetimi i kësaj sëmundjeje mund të bëhet direkt apo indirekt nga kafshët te njeriu. “Rezervuarë janë bagëtitë, dhitë dhe llojet e tjera të kafshëve. Rruga e transmetimit është fekalo-orale, kontakt me kafshët e infektuara (ose feçet), konsum i ujit apo ushqimeve të kontaminuara mund të bëhen shkak për marrjen e këtij bakteri”, - ka pohuar Vasili. Më tej ministri ka shtuar: “Rreziku i Shqipërisë aktualisht është zero. Nuk kemi importe nga këto vende, sepse kemi prodhim vendi. Do të ketë alarm në të ardhmen, në rast se do të ketë nivel të lartë rrezikshmërie.” Aktualisht Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tashmë ka një urdhër për të mos importuar nga asnjë vend i BE-së. Ministri tha se me shumë kujdes duhet të kenë qytetarët që udhëtojnë në vendet e prekura tashmë, megjithatë bakteri, që mendohet se është përhapur nga zarzavatet, kryesisht trangulli i importuar nga Spanja drejt disa vendeve të BE-së, nuk përhapet nga njeriu te njeriu. Rastet e para janë konstatuar në javën e dytë të majit. Sipas burimeve kompetente në Gjermani, ECDC dhe OBSH, njoftohet që në Gjermani kanë vdekur 10 persona dhe janë konfirmuar rreth 1200 raste me sindromë uremik-hemolitik. Shumica e rasteve (87%) janë persona të moshës së re dhe të mesme. Raste janë konstatuar edhe në Suedi, Danimarkë, Holandë dhe Britaninë e Madhe në persona me histori udhëtimi në Gjermani.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›