E Diel, 1 Nëntor 2026

“Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës”

23/11/2009  Publicisti dhe diplomati Shaban Murati promovon librin

Publicisti dhe diplomati Shaban Murati përuroi dje librin “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës”. Vepra është një analizë komplekse e çështjes shqiptare në rrethanat e krijuara pas krijimit të shtetit më të ri të Europës. Në promovimin e organizuar nga Instituti Shqiptar i Medies merrnin pjesë zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, ambasadori i Kosovës në Tiranë Gazmend Pulaj si dhe mjaft diplomatë, politikanë dhe njerëz të medies e fushave të ndryshme. Në fjalën e tij diplomati Shaban Murati tha se çështja shqiptare në Ballkan vazhdon të ekzistojë pavarësisht hapësirave dhe rrethanave të reja. Ndërsa zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta u shpreh se Murati është një nga diplomatët më të njohur dhe më me përvojë të vendit. Ai e vlerësoi kontributin shumëvjeçar të Muratit në diplomaci dhe ftoi

brezat e rinj të mësojnë nga kontribuesit me eksperiencë. “Zoti Murati është një nga diplomatët më të njohur që ka vendi ynë, me një përvojë të jashtëzakonshme dhe shumëpalëshe në shërbimin diplomatik, por edhe një publicist shumë i njohur dhe shumë i shquar. Ai ka sjellë një produkt shumë interesant për të gjithë, e sidomos për ata që merren me çështjet e diplomacisë dhe historisë”, - tha ministri i Jashtëm Meta.

Librin “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” e vlerësoi edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë. Gazmend Pulaj tha se kjo vepër është një kontribut i vyer dhe një udhërrëfyes për interesat kombëtarë. Edhe drejtori i Institutit të Medies, Remzi Lani, u shpreh se Murati është një diplomat dhe analist me përvojë dhe u sugjeroi lexuesve botimin e ri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›