E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci e mashtrimi me 100 milionë fishekë

23/11/2009  Listës së të akuzuarve i shtohen edhe 10 persona të tjerë, në lupë ekspertët ekonomikë

Zyrtarë të Mbrojtjes e drejtues të uzinës në Poliçan, mashtrime me kostot financiare

TIRANE- Shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec të Vorës, duket se ka hedhur në erë edhe dosjen me të njëjtën emër që po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi pak kohë më parë drejtues të lartë të këtij institucioni kanë urdhëruar regjistrimin e një procedimi të ri, për veprën penale të “mashtrimit”. Mësohet se kjo pistë hetimore, ka si objekt verifikimin dhe hetimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Kombinatit të Armëve në qytetin e Poliçanit, të cilët sipas burimeve pranë organit qendror të akuzës kanë mashtruar instancat shtetërore, duke i ofruar atyre përllogaritjen e rreme të kostos financiare, që dilte gjatë procesit të demontimit të fishekëve të kalibrit 7.62 mm dhe 12.7 mm. Për të hedhur dritë mbi këtë çështje Prokuroria e Përgjithshme ja ka deleguar aktet hetimore njësisë Task-Forcë, në Prokurorinë e Tiranës si dhe Prokurorisë së rrethit Berat, të cilat mësohet se kanë regjistruar procedimet vetëm për veprën penale të “mashtrimit” dhe jo me emra konkretë të dyshuarish. Gjatë kësaj periudhe, burimet thanë se janë marrë në pyetje rreth 10 persona, të cilët mendohet se kanë gënjyer lidhur me koston ekonomike gjasme shumë të lartë që kishte Kombinati i Poliçanit, për demontimin e rreth 100 milionë fishekëve të kalibrit 7.62 mm (Kallashnikov) dhe 20 milionë fishekëve të kalibrit 12.7 mm (Mitraloz). Për pasojë, këta ekspertë ekonomistë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe uzinës së Poliçanit kanë dalë në përfundimin se në qoftë se demontimi i kësaj sasie fishekësh do të kryhej në kombinat, atëherë shteti shqiptar do të kishte shumë humbje ekonomike si dhe sasia e demontimit do ishte tepër e vogël. Ndërkohë nga përllogaritjet që ka kryer Prokuroria e Përgjithshme, rezulton se kombinati i armëve në Poliçan, kishte kapacitetet maksimale për të kryer demontimin e municioneve luftarake dhe se nga buxheti i shtetit nuk do të humbte asnjë qindarkë, por përkundrazi shteti do kishte tepër përfitime financiare. Sipas akuzës, nisur nga ky konkluzion i rremë që ekspertët ekonomistë të ministrisë dhe uzinës së Poliçanit nxorën gjithë fishekët që ishin planifikuar të demontoheshin në Poliçan, janë transportuar në punishten e Gërdecit, pasi për demontimin e tyre Ministria e Mbrojtjes kishte kontraktuar firmën private të quajtur “Albademil” me administrator Mihal Delijorgjin. Qe pikërisht kjo firmë që fillimisht premtoi demontimin e milionave fishekëve dhe pasi s’ia arriti qëllimit, filloi demontimin e kalibrave 20 deri 152 mm (Predha), të cilat në datën 15 mars të 2008-s sollën shpërthimin e fuqishëm, që ndryshe njihet si katastrofa e Gërdecit, në të cilën humbën jetën 26 persona dhe 300 të tjerë u plagosën. Në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit u dëmtuan rreth 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, të datës 16 prill 2008 të Entit Kombëtar të Banesave, kapin vlerën 2. 039. 216. 418 lekë.

Dosja “Memaj”

Prokuroria ka filluar procedim më vete për misteret e trafikut të 1000 predhave prej mortaje të prodhimit malazez që ishin sistemuar në depon ushtarake në fshatin Memaj të Durrësit.

“Çmimi i fishekëve”

Veprime hetimore po kryhen edhe për mënyrën se si zyrtarët e ndërmarrjes së import-eksportit MEICO kanë përcaktuar çmimin e fishekëve që do të shiteshin në Afganistan.

“Trafiku i armëve”

Akuza ka veçuar materialet edhe për trafikun e armëve që kompania amerikane e djaloshit 22-vjeçar Efraim Diveroli ka kryer në Afganistan. Fishekët ngarkoheshin në Rinas.

“Nivelet e dyta”

Procedimi që do të hetohet është edhe ai i verifikimit të personave që kanë punuar në nivelet e dyta të ushtrisë shqiptare. Në të është një numër personash që kanë dhënë urdhra.

“Grupi hije i Gërdecit”

Materialet që janë veçuar për t’u hetuar janë edhe ato që ngrenë dyshime të forta mbi 8 persona. Ky grup quhet “grupi hije”, i cili mbikëqyrte punën dhe gjendjen e fabrikës.

“Mashtrimi me koston”

Lidhur me këtë çështje aktualisht hetime po kryejnë Task-Forca e Tiranës dhe akuza e Beratit. Në të është një grup personash që kanë mashtruar me koston reale të demontimit.

Arrestohet Hamit Doçi

Telefonata rutinë, zbulon në

Mamurras 23 kile heroinë

TIRANE- Një telefonatë rutinë, të cilën policia nuk e neglizhoi, ka çuar në gjetjen dhe bllokimin e plot 23 kilogram e 510 gramë heroinë. Verifikimi i policisë u krye ditën e djeshme menjëherë pas informacionit të dhënë se në banesën e 64-vjeçarit Hamit Doçi në qytetin e Mamurrasit ndodhej një sasi e konsiderueshme droge e llojit heroinë. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Doçit veç sasisë së heroinës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një pistoletë tip “Bereta”, një armë gjahu po e tipit “Bereta”, respektivisht me nga 4 dhe 20 fishekë. Nga verifikimet e para hetimore, lënda narkotike ishte planifikuar që të trafikohej në Itali, nëpërmjet trajlerave që kalojnë në portin e Durrësit. Burime zyrtare pranë policisë së shtetit thanë se aktualisht sasia e lëndës narkotike, është dërguar në Laboratorin Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, me qëllim fiksimin e ndonjë gjurme papilare, në pakot e heroinës. Për të identifikuar personat e tjerë në këtë aktivitet kriminal, oficerët e antidrogës kanë marrë në pyetje 64-vjeçarin Hamit Doçi. Ky i fundit ka hedhur poshtë pretendimet e policisë, duke u shprehur se nuk kishte asnjë dijeni për lëndën narkotike. Mirëpo në këtë drejtim hetuesit kanë këmbëngulur, duke i kërkuar të moshuarit që të tregonte emrat e bashkëpunëtorëve të tjerë. Kërkesës së grupit hetimor nuk i është përgjigjur pozitivisht 64-vjeçarit Doçi, gjë e cila bëri që policia të verifikojë të afërmit dhe kushërinjtë e tij. Nga kjo nismë nuk është arritur të gjendet pronari i vërtetë i mallit, por lidhur më këtë çështje burime pranë policisë thonë se do të vazhdojnë hetimet, pasi dyshohet se droga mund të jetë trafikuar nga ndonjë grup kriminal që vepron në Shqipëri. Ndaj Hamit Doçit u ngrit akuza e “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike” si dhe “armë mbajtjes pa leje”.

E. Qyno

Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet për “mbajtje pa leje të municioneve”

Bie alibia e policisë, Karoli jo bashkëpunëtor i Dajtit

21-vjeçari merret i pandehur. Do të gjykohet në gjendje të lirë

TIRANE- Elvis Karoli, personi që nga policia e kryeqytetit cilësohet si bashkëpunëtori kryesor i 38-vjeçarit Dritan Dajti, nuk njihet si i tillë nga Prokuroria e Tiranës, pasi kjo e fundit e ka marrë të pandehur vetëm për veprën penale të “mbajtjes pa leje të municioneve dhe armëve luftarake” dhe jo për “dhënie ndihmë të personave që janë në kërkim nga policia”. Një gjë e tillë bëhet me dije nga burime pranë akuzës kryeqytetase, të cilat pak ditë më parë kanë mbyllur hetimet për 21-vjeçarit Karoli, i cili u arrestua nga policia më 8 gusht, me pretendimin se ai kishte ndihmuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti. Çështja në ngarkim të tij me nr 2171 është regjistruar në gjykatën e Tiranës më 19 nëntor dhe pritet që së shpejti ai të ballafaqohet me gjyqtarin Martin Deda. Në kërkesën për gjykim të përpiluar nga organi i akuzës thuhet se nga administrimi i akteve hetimore në dosje, rezulton se në orët e vona të mbrëmjes efektivat e policisë së komisariatit nr. 2 Tiranë, kanë kryer një kontroll në banesën e të pandehurit Elvis Karoli. Gjatë kontrollit të imtësishëm, uniformat blu konstatuan se në njërën nga dhomat e banesës i pandehuri mbante 7 copë fishekë, detonatorë eksplozive luftarak 1 copë, aparatura të cilat dyshohen se shërbejnë për plasjen eksplozivi si dhe dy dylbi. Ndërkohë që mbi bazën e disa informacioneve operative 21-vjeçari Karoli sipas policisë ishte një nga bashkëpunëtorët e Dritan Dajtit, njeriut që më 7 gusht të këtij viti në qytetin e Durrësit ekzekutoi me armë katër agjentët e Grupit të Operacioneve Speciale që kryenin detyrën pranë policisë së shtetit. Këto informacione nuk janë marrë parasysh nga organi i akuzës, gjë e cila ndikoi edhe në rrëzimin e akuzës së bashkëpunimit, mes të pandehurit Elvis Karoli dhe Dritan Dajtit. Mësohet se procesi gjyqësor ndaj 21-vjeçarit të pandehur do të kryhet në gjendje të lirë, pasi që prej datës 9 gusht gjykata e Tiranës ka vendosur që i sipërcituari të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Materialet e servirura nga Prokuroria dhe policia, nuk u morën shumë të mirëqena dhe mbi këtë situatë, gjykata vendosi lirimin e Karolit, ndërsa për Dritan Dajtin dhe Ergest Xhoxhin gjykata vendosi t’i lërë në “burg pa afat”.

E. Qyno

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›