E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë do të ndodhë tani me plehrat?

Nga Kristi Pinderi

Vendimi i Presidentit të Republikës z. Bamir Topi për të rikthyer në Parlament ligjin për menaxhimin e mbetjeve urbane, është një lajm shumë i mirë, por edhe një kambanë alarmi për shoqërinë civile. Ndryshe nga disa vjet më parë shoqëria civile dhe media (përveç gazetës Shekulli dhe ndonjë rasti tjetër sporadik) u gjendën totalisht të papërgatitura dhe të paorganizuara për të ndalur këtë nismë me pasoja të rënda afatgjata për të gjithë.

Presidenti kishte tre alternativa. Ose të mos e firmoste ligjin por ta lejonte kalimin e tij në mënyrë të heshtur, ose ta dekretonte, ose ta rikthente për shqyrtim në Parlament.

Zgjodhi këtë të tretën, shenjë kjo që më së paku disa institucione kushtetuese në këtë vend ende funksionojnë, por që për hir të së vërtetës, janë filtra shumë të brishtë për të ndalur vrullin e pangopur të korrupsionit dhe të papërgjegjshmërisë ekstreme që po tregohet tashmë hapur në këtë vend.

Çfarë do të ndodhë më pas? Ligji në fjalë do të diskutohet sërish në Parlament. Media, shoqëria, civile dhe opozita duhet të tregojnë përgjegjshmëri qytetare dhe zgjuarsi kësaj here. Të mos humbasin brenda gjullurdisë së pafundme të çështjeve të politikës banale që prodhon qeveria e Berishës.Paradisa vitesh vetëm falë kësaj rezistence civile gjithëpërfshirëse qeveria e Fatos Nanos (në atë qeveri mjedisin e mbikqyrte Lufter Xhuveli, në këtë të sotmen e mbikqyr Fatmir Mediu), nuk mundi ta zbatonte një plan të njëjtë.

Mosreagimi i frikshëm dhe alarmant i shoqërisë civile këtë herë tregoi gjithashtu se në këtë vend opozitarizmi qytetar sa vjen dhe ngushtohet, sa vjen dhe mbytet përmes pamundësisë së aktorëve civilë për të siguruar fonde për të mbajtur veten.

Një grup të rinjsh të Kuvendit Civil tentuan të bëjnë këtë herë atë që Mjafti bënte dikur, por sigurisht zëri i tyre është pak. Vetëm një, vetëm një prej qindra opinionistëve tanë, z.Blendi Kajsiu mundi të shkruajë një artikull kundër ligjit të plehrave këtë herë, si për të na dëshmuar se jo vetëm organizatat jofitimprurëse por dhe vetë zërat mendje hapur të shtypit shqiptar janë tashmë më pak të organizuar, më pak të lirë, e më pak të aftë për të prodhuar ide e per te ndihmuar publikun të formojë opinione të shëndetshme mbi cështje me rëndësi kombëtare.

Kësisoj, duhet falenderuar Presidenti i Republikës që si një filtër i fundit kushtetues na tregoi se sa larg jemi nga detyra jonë për të mbrojtur këtë vend nga padrejtësitë Cfarë do të ndodhë më pas, varet vetëm nga ne. Nga ne të gjithë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›