E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë fshehin fotot e festës private të Berluskonit

Një bukuroshe brune shfaqet në shkallët e avionit, më pas zbret e drejtohet nga kortezhi presidencial. Pas saj, nga avioni ku lexohet qartë "Repubblica Italiana", del edhe një këngëtar napoletan e një zotëri tjetër, që pasohen nga një tjetër bukuroshe, që mësohet se është balerinë flamengoje. Kryeministri, në këto foto të shkrepura më 24 maj të vitit 2008, shfaqet teksa përshëndet komitetin që ka dalë t‘i urojë mirëseardhjen. Për të përditshmen italiane, "Corriere Della Sera", këto janë veç disa prej fotove që po shfrytëzon Magjistratura e Romës gjatë hetimit të përdorimit të avionëve shtetërorë për qejfe personale.

Reporteri nga sardenja, Antonelo Zapadu, 51-vjeçar, i ka dorëzuar bashkë me qindra fotografi të tjetra të shkrepura brenda e jashtë vilës "Certosa", në pronësi të Kryeministrit italian, Silvio Berluksoni, ku tregohen disa festa e pushime, të gjitha me një karakteristikë të përbashkët: vajzat e bukura gjenden me bollëk. Në gusht janë fotografuar në pishinë, në tetor duke shëtitur në park. Në fotot e dhjetorit duket edhe Noemi Leticia, e cila u ftua në vilën e mrekullueshme bashkë me një shoqen e saj, Robertën.

Zonjushat shfaqen nëpër foto duke shëtitur rrugicave përreth vilës, dhe shpesh është vetë Berluskoni ai që i shoqëron personalisht. Në disa prej fotografive Berluskoni nget disa makinëza elektrike, ku gjenden të paktën 3-4 vajza. Kur ai nuk është i disponueshëm, janë truprojat ata që i shëtisin zonjushat me makinat e vogla elektrike. Ndonjëherë të veshur edhe me uniforma ushtarake. Janë që të gjithë punonjës të shtetit italian, tani nën urdhrat e drejtpërdrejtë të shërbimeve sekrete, gjë që sipas "Il Corriere Della Sera", mund ta bindë magjistraturën e Romës se bëhet fjalë për abuzime të mirëfillta me punonjësit e shtetit.

Që në fillimin e dhjetorit të shkuar, Zapadu kishte folur me një gazetare të revistës italiane "Panorama", për publikimin e fotove, por planet u lanë në harresë. Flasin përsëri në maj, në kohën kur fotografi qe vënë në kontakt edhe me revista e gazeta të huaja. Më 26 maj, një prej gazetarëve të "Panorama"-s ia tregon disa prej fotove drejtorit të tij. Që në drekë, fotot i dorëzohen në dorë Berluskonit, i cili me t‘i parë, bashkë me avokatin e vet, vendos t‘i bllokojë.

Fotot e majit 2008, ku tregohet ish-ministri çek i zhveshur në buzë të pishinës, nën shoqërinë e një biondeje që mund të jetë e dashura e tij e re, dhe të një të ftuari tjetër, mund të krijojnë siklet në rrafshin ndërkombëtar, megjithëse nuk vërehen askund fëmijët për të cilët kanë folur këto ditë mediat italiane. Të sikletshme duhet të jenë edhe fotot e shumë vajzave me kostume banje apo "topless", mes të cilave, sipas mediave të vendit tonë, gjendeshin edhe dy vajza shqiptare, të cilat bënin banjë pranë statujave të bronzta të grave të zhveshura. "Corriere Della Sera" vëren megjithatë se në praninë e Kryeministrit italian vajzat paraqiten gjithnjë të veshura. Një kujdes që nuk e tregojnë kur rrotull janë truprojat.

Fotot janë shkrepur nga një distancë shumë e largët. Dikush mendon se mes tyre dallohet Noemi, por është e vështirë ta identifikosh mes bukurosheve të tjera. Sipas të përditshmes italiane, numërohen shumë bionde, të holla e të gjata. Por edhe ndonjë brune e bukur, veçanërisht njëra me flokët kaçurrela.

Interesi i fotografit Zapadu për kreun e qeverisë italiane shtrihet shumë gjatë në kohë, dhe është pikërisht ai që e ka fotografuar në vilën "Certosa", nën shoqërinë e pesë bukurosheve, mes të cilave binte në sy një vajzë që ka marrë pjesë në një prej edicioneve të "Big Brother" të vendit fqinj. Por nuk i ka kursyer breshëritë e fotove edhe kur Berluskoni ishte kreu i opozitës dhe për të dërguar të ftuarit e të ftuarat në vilë, përdorte avionët e tij privatë. Gjendet një sekuencë e gjatë fotosh që pasqyron mbërritjen në vilë të aktorëve dhe aktoreve të një seriali televiziv italian. Nga avioni zbresin balerina e imitues, si dhe një regjisor i njohur italian. I presin në aeroport disa autobusë blu, që më pas i shoqërojnë në rezidencën luksoze.

Në një rast tjetër, Berluskoni është fotografuar gjatë orëve të natës, ndërsa mbërrin e ndalet të flasë me disa karabinierë. Më pas i përshëndet dhe u drejtohet shkallëve të avionit privat. Pista është e ndriçuar e tëra me drita. Edhe pjesa e brendshme e avionit është e ndriçuar. Njëra pas tjetrës ngjiten në avion disa vajza të fotografuara edhe pak më parë teksa zbrisnin nga një prej veturave të kortezhit.

Për "Il Corriere Della Sera" bëhet fjalë për momente publike e private. Në një rast duket Berluskoni teksa u tregon tre zotërinjve dhe dy zonjave një prej ndërtesave të rezidencës dhe pastaj u bën një xhiro me makinën elektrike në gjithë territorin e rrethuar. Është përsëri ai që, i rrethuar nga pesë vajza, shëtit mes kopshtit dhe i fton të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Për të përditshmen italiane janë mbresëlënëse fotot ku rojet e armatosura ruajnë miqtë e shumtë të Kryeministrit italian, apo vihen në një mënyrë a në një tjetër në shërbim të tyre. Në foto vërehet qartë diskoteka e madhe, amfiteatri, shkëmbinjtë që shërbejnë për të ndarë zonat e ndryshme të parkut. Dhe pikërisht në disa prej këtyre zonave, bukuroshet zgjidhnin të bënin të pashqetësuara banjë dielli, pa u shkuar kurrë në mendje se dikush qe pozicionuar diku larg, me mendimin për t‘i fotografuar e për të dokumentuar praninë e tyre në festat private të dhëna prej Kryeministrit italian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›