E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë kërkojnë salafistët?

Vëllazëria Myslimane dominoi rrethin e parë të zgjedhjeve parlamentare në Egjipt. Në vendin e dytë u rreshtua partia salafiste, Al Nour. Ky grup dëshiron të shoh zbatimin e ligjit islamik.

Është mirë që mysafiri është mashkull. Sheikët nuk flasin me femra. Por sërish, gazetari është një i huaj, gjë që është një gjë brengosëse. Ka aq shumë paragjykime për islamin në Perëndim, thotë Sheikh Fawzi al-Sayeed. Por ndoshta, shton ai, kjo bisedë do të ndihmojë në përhapjen e së vërtetës.

Sayeed 70 vjet fton mysafirin e tij në xhaminë Al Tavheed. Është ora 06:30 dhe njerëzit e tubuar brenda sa po kanë kryer lutjen e mëngjesit. Tani ata formojnë një gjysmë-rrethi përreth Sheikhut të tyre.

Siç bën çdo mëngjes, Sayeed kërkon nga ithtarët e tij që të ripërsërisin devotshmërinë e tyre për besimin e vërtetë. Sayeed është njëri prej imamëve më të njohur salafist në Egjipt. Në periudhën aktuale nuk është gjithmonë lehtë të dallosh miqtë dhe armiqtë e islamit.

Që nga momenti kur partia salafiste, Al Nout, apo Partia e Dritës, u rreshtua në vendin e dytë pas rrethit të parë të zgjedhjeve parlamentare, menjëherë pas Vëllazërisë Myslimane, bota po shikon me brengë në drejtim të Kajros. Këto dy parti siguruan 60 për qind të ulëseve. Një e treta e ulëseve janë të rezervuara për kandidatë individualë. Është kjo faza e parë e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011-2012, me fazën e dytë e cila filloi të mërkurën.

Rezultati i zgjedhjeve konfirmon një trend të qartë, më saktë se kudo që janë zhvilluar zgjedhje të lira në Lindjen e Mesme islame gjatë viteve të fundit, gjithmonë kanë fituar partitë islamike: në Rripin e Gazës në vitin 2006, në Irak në vitin 2010 dhe në Turqi, Tunizi dhe Maroko në vitin 2011.

Por vetëm Egjipti ka një grup aq radikal si salafistët, të cilët kanë arritur të rreshtohen si parti. Kjo ka implikime serioze, pasi që Egjipti është një prej shteteve me ndikimin më të madh në botën arabe; pulsi revolucionar, i cili ka rrahur për 11 muaj në sheshin Tahrir nëKajro, është ndier edhe në Libi dhe Siri, në Iran dhe në shtetet e Gjirit.

Fuqia e salafistëve jo vetëm që ka shokuar shumë egjiptianë, por ka shokuar në veçanti rininë revolucionare të vendit, liberalët dhe të majtët, të krishterët koptë dhe myslimanët e moderuar. Ishin salafistët ata, të cilët agjituan kundër koptëve dhe bojkotuan revolucionin, me arsyetimin se aty ishin infiltruar “zionistë dhe bushtra”. Dhe ishin pikërisht salafistët ata, të cilët deri vonë kanë refuzuar zgjedhjet e lira, duke i cilësuar ato si “jo-islamike”. Dhe tani po vijnë në pushtet si demokratë?

Partia Al Nour u formua në pranverë, në radhët e së cilës u shkrinë grupe të ndryshme konservatore dhe ish-grupe militante. Anëtarët e saj nuk janë njohur për ambicie demokratike, por më parë për lidhjet e tyre të ngushta me Arabinë Saudite.

Idetë politike të salafistëve janë po aq të pa-stolisura, sa edhe xhamitë e tyre. Ata janë të bashkuar në dëshirën që të jetojnë jetët e tyre në përputhje me shembullin e vendosur nga Profeti Muhamed para 1400 viteve. Kjo vlen edhe për veshjen dhe mjekrat e salafistëve, e rregullat e tyre kërkojnë mbulesë të plotë për femrat dhe mjekra për meshkujt, mundësisht pa mustaqe.

Me fjalë të tjera, qëllimi i salafistëve është kthimi në ditët e hershme të islamit. Por cili është programi i tyre në Egjipt?

“Shikoni, bota islamike ende është duke vuajtur nga padrejtësia e madhe, e cila i është bërë këtij religjioni. Dhe zgjidhja është aq e lehtë: ne thjeshtë duhet të aplikojmë Kuranin dhe ligjin islamik për të shëruar vendin tonë, ashtu siç ka thënë Zoti”, thotë Sayeed. Natyrisht, vazhdon ai, kjo përfshin edhe ekzekutimin me gurë të atyre që bëjnë tradhti dhe prerjen e duarve hajnave. Ai e cilëson si të pavend pyetjen se a mos nuk janë këto “praktika barbare”.

Gjatë fushatës, anëtarët udhëheqës të partisë Al Nour dukeshin si njerëz, të cilët vijnë nga një epokë tjetër, një dallim i madh me traditat liberale të Egjiptit. Për shembull, kur zëdhënësi i partisë, Abdul Al Shahat, paraqitej në debate televizive, ai insistonte që një njeri të vendosej si mur ndarës mes tij dhe mysafireve femra. Në kerkesën e tij më të fundit, ai ju ka bërë thirrje egjiptianëve që të shkatërrojnë tempujt, më saktësisht të trashëgimisë së faraonëve.

Një anëtar tjetër i kryesisë së partisë ka kërkuar ndalimin e alkoolit, madje edhe për të krishterët dhe të huajt. Ai madje gjithashtu dëshiron mbylljen e plazheve, në të cilat femrat perëndimore zbulojnë më tepër lëkurë se sa duhet.

A është kjo arsyeja, për të cilën protestoi rinia egjiptiane? A është kjo arsyeja se pse u përmbys kryetari autokrat, Hosni Mubaraku?

Jo, thotë Amr Iss Al Rigal. “Por është ky thjeshtë një fenomen i tranzicionit. Kishim ndjenjën se grupet religjioze fillimisht do të triumfojnë-ngase ato, si salafistët, kanë miq në mbretëritë e naftës. Dhe për arsye se ata, sikur edhe Vëllazëria Myslimane, ishin pjesë e opozitës, gjë që ju mundësoi që të organizohen”.

Rigal, një avokat 28 vjeçar, më tutje shton se demokratët do të ngadhënjejnë në periudhën afatgjatë.

Egjiptianët po presin me padurim për të parë se si do të pozicionohet Vëllazëria Myslimane. A do të distancohet ajo nga salafistët dhe a do të kërkojë aleancë me forcat liberale? Apo do të bashkohet me salafistët, për të krijuar një Egjipt islamik?

Të krishterët, liberalët dhe sekularët nuk janë të vetmit, të cilët frikësohen se Egjipti mund të bëhet një shtet jo-demokratik, me ndihmën e mjeteve demokratike. Kur kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan vizitoi Kajron në shtator, dy muaj para zgjedhjeve, ai u prit me ovacione nga Vëllazëria Myslimane. Më pas, ai mbajti një fjalim dhe tha:”Një shtet sekular respekton të gjitha religjionet. Mos u frikësoni nga sekularizmi”.

Befas, Vëllazëria Myslimane nuk ishte më aq e ngazëllyer, ndërsa salafistët kritikuan ashpër sekularizmin, duke e cilësuar si “vepër të djallit”. Duket se islamistët në Egjipt janë ende shumë larg prej modelit turk. (Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›