E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia bashkëkohore ballkanike, në shqip

Libri “Roman Natyral” vjen për lexuesit si pjesë e kolonës “Letërsi bashkëkohore nga Ballkani”, me mbështetje të projektit TRADUKI, një rrjet ky evropian për letërsi dhe libra për Evropën Juglindore.

Libri “Roman Natyral”, i autorit Georgi Gospodinov, është përkthyer në shqip nga Janka Selimi.

Në qendër të librit është jeta e një burri që papritmas merr tatëpjetën. Ai përpiqet të rrëfejë historinë e tij, por ajo vazhdimisht i rrëshqet dhe shndërrohet në një histori natyrale për WC’të, për mizën, bletët, etj.

Jeta e tij përqaset në mënyrë misterioze me fatin e dy personazheve të tjerë - të redaktorit (me të njëjtin mbiemër si të tij) dhe të kopshtarit të çmendur.

Kur historia personale e njeriut shkatërrohet, atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëhet mbledhës historish të huaja dhe të bëhet pjesë e tyre.

Georgi Gospodinov është një nga autorët më të suksesshëm bashkëkohorë bullgarë, i njohur në dhe jashtë vendit të tij.

Si pjesë e kolonës “Letërsi bashkëkohore nga Ballkani” është edhe autori Alek Popov, me romanin “Misioni Londër”, i përkthyer nga Milena Selimi.

Alek Popov është njëri nga shkrimtarët bullgarë të letërsisë moderne, autor i romaneve “Misioni Londër”, “Kutia e Zezë” dhe i disa vëllimeve me tregime.

Romani “Misioni Londër” është përkthyer në 13 gjuhë, si në hungarisht, polonisht, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, etj. Përveçqë që fron një lexim dëfryes, “Misioni Londër” paraqet edhe realitetin ballkanik në fillim të shekullit 21.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›