Çitaku: Brukseli, “pro” të ardhmes evropiane për Kosovën
Ministrja e Integrimit Evropian nër Kosovë, Vlora Çitaku, gjatë vizitës në Bruksel, është takuar me Komisionerin për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fule si dhe me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerimin, Pierre Mirel.
Temat qendrore të takimeve kanë qenë marrja e udhërrëfyesit për procesin e liberalizimit të vizave, zgjatja e masave autonome tregtare për bizneset kosovare, si dhe progresi dhe sfidat në kuadër të Raportit të Progresit 2011.
“Pikë kyçe e takimeve ka qenë përmbajtja e Raportit të Progresit 2011. Në takimin e sotëm unë i përcolla komisionerit pikëpamjet e qeverisë mbi punën e mirë që është bërë në nivelin qendror dhe lokal, dhe se unë jam e bindur që do të kontribuojë ndaj hapjes së shpejtë të dialogut për liberalizimin e vizave”, është shprehur ministrja Çitaku.
Ndër të tjera ajo shton se, gjatë takimeve që zhvilloi në Bruksel me Fule dhe Mirrel, është diskutuar edhe nevoja për qasje më të mirë në tregjet evropiane për bizneset kosovare përmes zgjatjes se Masave Autonome Tregtare. “Unë përsërita kërkesën për marrëdhënie kontraktuale me BE-në, në datën më të shpejtë të mundshme”, citohet të ketë thënë ministrja Çitaku.
Ndërkaq, nga ana e tij, komisioneri Fule, ka përshëndetur angazhimin personal të ministres Çitaku në promovimin e agjendës evropiane në Kosovë. “Qeveria ka fuqizuar rolin e saj në koordinimin dhe menaxhimin e procesit të Stabilizim Asociimit. Lidhur me dialogun për procesin e liberalizimit të vizave, misioni i ekspertëve ka përfunduar javën e kaluar vizitën lidhur me riintegrimin e personave të riatdhesuar dhe së shpejti presim mendimin/raportin lidhur me këtë çështje”, është shprehur Fule.
Ai më tej ka theksuar se pret miratimin e Masave Autonome Tregtare së shpejti për Kosovën, duke konfirmuar përkrahjen e Komisionit Evropian në kuadër të perspektives evropiane të Kosovës.