E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, shefi i EULEX: Të hiqen barrikadat në Veri

Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, së bashku me ambasadorin amerikan në Kosovë, Christopher Dell, kanë vizituar Portën 1 dhe 31 në Jarinjë dhe Bërnjak në Veri. Ata janë takuar me personelin e EULEX-it, KFOR-it, të Policisë së Kosovës dhe ata të Doganave të Kosovës.
 

Sipas një deklarate për shtyp, shefi i EULEX-it, de Marnhac ka lavdëruar punën e misionit që ai drejton dhe ka shprehur falënderimin e tij për mbështetjen e ofruar nga KFOR-i.
 

“Policia dhe Dogana e EULEX-it, në bashkëpunim të ngushtë me ushtarët e KFOR-it, janë këtu për ta mbështetur sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës. I përgëzoj për përkushtimin dhe punën e tyre nën këto rrethana sfiduese”, është shprehur de Marnhac.
 

Ndër të tjera në fjalën e tij, ai ka shtuar se të dy portat teknikisht janë gati të nisin së funksionuari, mirëpo barrikadat e ngritura në rrugët e afërta pengojnë hapjen e Portave. Ndërkaq, shefi i EULEX-it, kërkoi edhe heqjen e barrikadave në veri. “Kjo i bën dëm njerëzve. Ne e kemi ndërmarr këtë hap për të përmirësuar qarkullimin e mallrave dhe aftësinë e njerëzve për t`iu afruar atyre, dhe mendoj se çdo veprim drejt pengimit të këtij veprimi është thjeshtë kundër popullatës”, ka theksuar shefi i EULEX-it.
 

Bashkimi Evropian dhe NATO, përkrahin përpjekjet për rikthimin e marrëdhënieve normale tregtare si dhe heqjen e embargove tregtare në Kosovë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›